SHBA-ja mbështetje Kosovës në fushën e sundimit të ligjit

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, është pritur në takim nga i pari i drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions...

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, është pritur në takim nga i pari i drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions.

Në takim e mbajtur në Departamentin e Drejtësisë, ministri Tahiri ka shprehur konsideratë të lartë për angazhimin dhe mbështetjen e SHBA-së ndaj Republikës së Kosovës dhe në veçanti për fushën e sundimit të ligjit.

Sipas një komunikate nga Ministria e Drejtësisë, ministri Tahiri ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës për të vazhduar në mënyrë të fuqishme dhe me efikasitet luftën kundër terrorizmit, trafikimit, narkotikëve dhe pastrimit të parave.

Ai ka vlerësuar se mbështetja që Departamenti amerikan i Drejtësisë është duke i dhënë Kosovës dhe veçmas sundimit të ligjit ka mundësuar që autoritetet kosovare të radhiten përkrah forcave më efikase në botë në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, njëkohësisht duke e bërë Kosovën një strehë të pasigurt për krimin e organizuar dhe trafikimin e narkotikëve.

Ministri Tahiri ka falënderuar Prokurorin e Përgjithshëm Sessions për ndihmën që Departamenti amerikan i Drejtësisë është duke dhënë përmes programeve të OPDAT-it dhe ICITAP-it, si dy komponente të rëndësishme në funksion të politikave legjislative dhe programore që mundësojnë fuqizimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe parandalimit dhe luftimit të terrorizmit./TRT