SHBA heq sanksionet ndaj Turqisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të heqin sanksionet e vendosura ndaj Turqisë, 9 ditë pas ofensivës që forcat ushtarave turke nisën ndaj luftëtarëve kurdë në veri të Sirisë.

Lajmi është bërë i ditur nga Presidenti amerikan Donald Trump.

“Sanksionet do të hiqen nëse nuk ndodh diçka e papritur”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Vendimi për të hequr sanksionet erdhi pas marrëveshjes që Turqia arriti me Rusinë për zgjatjen e armëpushimit përgjatë kufirit sirian.

Ofensiva ushtarake e Turqisë ndaj kurdëve në veri të Sirisë filloi menjëherë pas urdhrit të Presidentit Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga ajo zonë. Trump u kritikua për këtë lëvizje, pasi luftëtarët kurdë që cilësohen si terroristë nga Erdogan, janë aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Turqia nisi ofensivën ushtarake përgjatë vijës së saj kufitare me qëllim që të krijojë një zonë të sigurtë në veri të Sirisë.