Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur se sfida e Shqipërisë është të arrijë në 10 milionë turistë në 4-5 vitet e ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Rama foli në një takim me operatorët turistikë të huaj, mbajtur në kuadër të Konferencës Kombëtare të Turizmit, organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, e cila kishte në fokus diskutimet mbi problematikat e sektorit të turizmit.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se Shqipëria ka një potencial ende te madh të pa shfrytëzuar të turizmit dhe se numri i turizmit është rritur në krahasim me vendet e rajonit.
“Vendet e rajonit si Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja apo deri dhe Bullgaria janë rritur me nën 15 për qind, Shqipëria është rritur afro 30 për qind në muajin gusht dhe shtator. Rritja e numrit të turistëve dhe të ardhurave është akoma më domethënëse nëse marrim parasysh edhe rikthimin në treg të një sërë destinacionesh që deri vjet ishin si të thuash të konsideruara të papërshtatshme duke filluar nga Turqia e deri tek Egjipti dhe Tunizia. Megjithatë, thënë këto dhe shtuar që në 5 vitet e fundit ne kemi kaluar nga 3.4 në mbi 6 milionë vizitorë dhe nga 1 miliard euro të ardhura në afro 2 miliardë euro të ardhura nga turizmi”, tha Rama.
Sipas Ramës sfida është që Shqipëria të arrijë në 10 milionë turistë në harkun e 4-5 viteve të ardhshëm.
Më tej gjatë fjalës së tij Rama, duke folur për investimet në turizëm, tha: “Kemi një bregdet me një potencial të jashtëzakonshëm, jemi destinacioni i fundit i pazbuluar i Mesdheut, rritja eksponenciale e interesit për Shqipërinë lidhet me bukuritë e vendit. Ne do ti japim një alternativë zhvilluesve dhe investitorëve dhe investimet në bregdet duhet të përkojnë me një ambicie të madhe për ta bërë Shqipërinë, jo thjeshtë një vend ku vijnë shumë turistë, por një vend ku turizimi sjell shumë herë më tepër të ardhura dhe krijon punësim shumë më cilësor. Kjo është sfida, që të kombinojmë bukurinë që kemi gjetur me të bukurën ndërtojmë”, deklaroi Rama.
Ndërsa ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë fjalës së tij tha së rritja e turizmit me 20 për qind nuk erdhi vetvetiu, por erdhi sipas tij “pas disa përpjekjesh titanike”.
“Rritja erdhi mbas një organizimi shumë energjik të institucioneve qendrore dhe vendore dhe aktorëve privatë, të cilët dua t’i falënderoj për gjithçka bënë gjatë këtij viti në punën e përbashkët”, tha Klosi.