Sergey Lavrov: Moska pritëse e takimit midis Izraelit dhe Palestinës

“Në bazë të kontakteve të vazhdueshme të Izraelit me ne, u pajtuam me udhëheqjen palestineze për një takim që do të pritet nga Rusia për të diskutuar procesin e paqes pa parakushte”, tha Lavrov

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se Moska do të organizoj një takim të përfaqësuesve palestinezë dhe izraelitë “pa parakushte”, me shpresën për ringjalljen e procesit të paqes në Lindjen e Mesme, raporton Anadolu Agency (AA).

Këtë vendim, Lavrov e paralajmëroi në konferencën e përbashkët për media në Riad me homologun e tij saudit, Adel al-Jubeir.

“Në bazë të kontakteve të vazhdueshme të Izraelit me ne, u pajtuam me udhëheqjen palestineze për një takim që do të pritet nga Rusia për të diskutuar procesin e paqes pa parakushte”, tha Lavrov.

Ai theksoi se udhëheqja palestineze është e gatshme për takimin, ndërsa Izraeli “ende duhet të konfirmoj një datë”.

Lavrov aktualisht qëndron për vizitë në Arabinë Saudite, si pjesë e një turneu të gjerë të rajonit që tashmë e ka sjell atë në Katar.

Para se turneu të përfundoj të enjten, pritet që kryediplomati i Moskës të vizitoj Kuvajtin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Që nga viti i kaluar kur administrata e SHBA-ve e njohu Kudsin si kryeqytet të Izraelit, Ramallahu ka refuzuar ndërmjetësimin e mëtejshëm të Washingtonit në dialogun palestinezo-izraelit, ndërkohë Moska ka theksuar gatishmërinë e saj për të luajtur një rol të madh në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Bisedimet e garantuara nga SHBA-të midis Palestinës dhe Izraelit dështuan në vitin 2014, pasi kjo e fundit refuzonte të ndaloj ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.