Şentop: Turqia nuk mund të detyrohet nga SHBA ose ndonjë vend tjetër

Kryeparlamentari turk nënvizoi se sanksionet dhe embargot nuk do të dëmtojnë Turqinë, duke pasur parasysh se vendi ka alternativa dhe diversitet sidomos në industrinë e mbrojtjes

ADNAN IDRIZ, DZIHAT ALIJU

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, duke folur për vendimin e SHBA-së për sanksione, tha se vendi i tij nuk mund të detyrohet nga Washingtoni ose ndonjë vend tjetër.

Në një intervistë për AA gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, Mustafa Şentop komentoi një sërë çështjesh në agjendën e jashtme të Turqisë, siç është masa e sanksioneve nga SHBA, ratifikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak Turqi-Libi, vendosja e ushtarëve turq në Libi dhe rritja e ksenofobisë dhe racizmit në Evropë.

Şentop tha se administrata e SHBA-së përdori sanksionet si një element kërcënimi, veçanërisht që nga zgjedhja e presidentit Donald Trump, por shtoi se nuk beson se sanksionet do të kenë ndonjë efekt domethënës në Turqi.

Ai nënvizoi se sanksionet dhe embargot nuk do të dëmtojnë Turqinë, duke pasur parasysh se vendi ka alternativa dhe diversitet sidomos në industrinë e mbrojtjes.

Şentop potencoi se Turqia tashmë ishte përballur me një sanksion jozyrtar gjatë përpjekjeve të SHBA-së për të larguar Ankaranë nga programi i avionëve luftarakë F-35, duke shtuar se Washingtoni ishte shprehur se nuk do t’i dorëzonte aeroplanët.

“A nuk është ky një sanksion, embargo? A nuk kemi parë një rast të ngjashëm në lidhje me dronët dhe raketat Patriot?”, tha Şentop, duke vënë në dukje se qëndrimi i mëparshëm negativ i SHBA-së mbi Turqinë çoi në blerjen e sistemit raketor rus S-400.

“Sa i përket avionëve F-35, Turqia i vlerëson alternativat dhe nuk kufizohet dhe detyrohet nga asnjë vend lidhur me këtë çështje, përfshirë SHBA-në”, shtoi kryeparlamentari turk.

Ai nënvizoi se Turqia nuk bënte pjesë në rendin botëror dypolar të shekullit të 20-të, por gjithmonë ka alternativa në mjedisin e sotëm politik shumëpolar në gjithë botën.

Şentop tha se mendon se sanksionet dhe planet për embargo nuk do të ndikojnë negativisht në ekonominë e Turqisë dhe industrinë e mbrojtjes, por do të dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe.

Marrëveshja Turqi-Libi

Duke folur për paktin ushtarak turko-libian të nënshkruar së fundmi dhe ratifikimin e tij nga parlamenti turk, Şentop tha: “Në fakt, ai mbase mund të cilësohet si vazhdim i marrëveshjes së mëparshme që Turqia arriti me Libinë në lidhje me zonën ekskluzive ekonomike”.

Şentop tha se marrëveshja u arrit mbi një bazë të ligjshme pasi u nënshkrua me Qeverinë e Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur nga OKB.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me vendosjen e ushtarëve të Turqisë në Libi, Şentop tha se marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak nuk do të thotë se Ankaraja do të dërgojë trupa, por kjo çështje është e hapur për diskutim.

Evropa, islamofobia, ksenofobia

Kryetari i parlamentit të Turqisë tha se Evropa sot është dëshmitare e islamofobisë dhe ksenofobisë për shkak të strukturës “njëkulturore” dhe “të mbyllur”.

“Ndoshta ka pasur një pluralitet politik, por ka vepruar me një botëkuptim të bazuar në një kulturë të vetme”, tha ai, duke shtuar se globalizimi e ka ndryshuar botën dukshëm pasi kulturat në këtë mënyrë lëvizën lirshëm në botë.

“Megjithatë, Evropa nuk është e gatshme për një gjë të tillë, pasi ajo ka një strukturë moniste për sa i përket kulturës. Tani, ajo po takohet me kultura të reja në masë të madhe”, u shpreh Şentop.

Sipas Şentop, popullsia evropiane po plaket gradualisht dhe kontinenti ka nevojë për njerëz dinamikë dhe të rinj për të ruajtur strukturën e sigurisë shoqërore.

Ai gjithashtu tha se ka shumë njerëz që zgjedhin të jetojnë jashtë vendit për shkak të trazirave dhe luftërave të shkaktuara nga vendet evropiane, si dhe për shkak të problemeve financiare që pamundësojnë një jetë me standarde të larta.

Migrimi i këtyre njerëzve mund të ketë një ndikim pozitiv në Evropë, duke kontribuar në strukturën multikulturore, multifetare dhe multigjuhësore, tha Şentop, por shtoi se Evropa ende nuk është e mësuar me një gjë të tillë dhe për këtë arsye shfaqen reagime në rritje me elemente të ksenofobisë dhe islamofobisë.

“Turqia mbështet vendet e Ballkanit për vendosjen e paqes permanente”

Kryetari i parlamentit turk shpjegoi se vizita e tij në Maqedoninë e Veriut u realizua me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në këtë vend, duke shtuar se është përpjekur që sa më shumë që është e mundur të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara për këtë ditë.

Ai tha se në Maqedoninë e Veriut jetojnë turq etnikë, por edhe një pjesë e popullsisë që flet gjuhën turke, duke shtuar se 21 Dhjetori është ditë e rëndësishme për njerëzit që kanë një lidhje shpirtërore me Turqinë.

Sipas tij, shtetet dhe komunitetet në Ballkan, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, nuk janë të rëndësishme vetëm në spektrin e ngushtë, por edhe për paqen në Evropë dhe botë.

“Është një rajon ku gjatë më shumë se 100 viteve të fundit, ndodhën ngjarje shumë të mëdha tragjike, ndërsa në kohën e afërt në Bosnjë ndodhi një gjenocid i rëndë, një masakër kundër boshnjakëve. E gjithë bota ishte dëshmitare e këtyre masakrave me transmetime të drejtpërdrejta që u kryen para syve të Evropës. Prandaj, një rajon i tillë ka nevojë për paqe dhe stabilitet. Andaj, Turqia mbështet vendet e Ballkanit që paqja të jetë permanente, e vazhdueshme, që të arrihet stabiliteti, stabiliteti ekonomik dhe politik”, potencoi Şentop.

Ai shtoi se Turqia ka qenë vendi i parë që e ka njohur Maqeodninë e Veriut pas shpalljes së pavarësisë dhe që atëherë e mbështet vazhdimisht në proceset për integrime evropiane dhe veri-atlantike.

Şentop tha se midis dy vendeve ka marrëdhënie shume të fuqishme, ndërsa shtoi se komuniteti turk në vend luan rol të rëndësishëm në këto marrëdhënie.

Kryeparlamentari i Turqisë në fund shprehu urime me rastin e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut.