Rusia dhe Afganistani pajtohen të shtyjnë konferencën e paqes

Konferenca ishte vendosur të mbahet në shtator, por gjatë një telefonate me Lavrov, Ghani propozoi shtyrjen e saj për shkak të nevojës për të zhvilluar pozicionin e konsoliduar të Afganistanit për këtë çështje

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov dhe presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, kanë rënë dakord të shtyjnë konferencën e paqes mbi Afganistanin që ishte planifikuar për në muajin shtator, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Jashtme e Rusisë bëri të ditur se konferenca e paqes ishte vendosur të mbahet në muajin shtator në Moskë, por gjatë një telefonate me ministrin Lavrov, presidenti Ghani propozoi shtyrjen e saj për shkak të nevojës për të zhvilluar pozicionin e konsoliduar të Afganistanit për këtë çështje.

“Presidenti i IRA-s (Republika Islamike e Afganistanit), duke mbështetur në parim idenë e një takimi në Moskë, propozoi shtyrjen e saj për shkak të nevojës për të zhvilluar pozicionin e konsoliduar të Afganistanit për këtë çështje, duke marrë parasysh ndryshimet e vazhdueshme të personelit në udhëheqjen e bllokut qeverisës afgan”, tha Ministria ruse.

Lavrov dhe Ghani ranë dakord të vendosin një datë të re për takimin nëpërmjet kanaleve diplomatike.

Ndërkaq, në deklaratën zyrtare nga Kabuli, thuhet se presidenti Ghani ka përshëndetur Moskën për përpjekjet e saj për paqen në Afganistan, por gjithashtu ka theksuar se “çdo bisedim duhet të jetë një proces i zotëruar dhe i udhëhequr nga Afganistani”.

“Në bisedën telefonike u vendos që të shtyhet konferenca e Moskës në mënyrë që të dy vendet të mund të koordinojnë përgatitjet e mëtejshme dhe efektivitetin e procesit”, theksoi Kabuli zyrtar.