Rusia bën zotin e shtëpisë, Spanja i jep lamtumirën Botërorit

Jashtë edhe Spanja! Rusia vuan për 120 minuta por fiton me penallti

Spanja jashtë Botërorit, Rusia në çerekfinale. Vendi organizator arrin të eliminojë “La Rojan” pas goditjeje të 11-metërshave me rezultatin 3-4, teksa koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1.

Spanja e nisi ndeshjen me gol që në minutën e 12’ kur Sergio Ramos provokon Ignashevich, lojtari më i vjetër që bën një autogol në Kupën e Botës (38 vjeç), të shtyjë topin në rrjetën e tij. dukej sikur Spanja do ta kishte të lehtë me golin e shënuar por ndodhi krejt e kundërta.

Rusët filluan të luanin mirë dhe të krijonin mundësi shënimi ndaj një Spanje të turbullt në mendime dhe veprime. Në minutën e 41’ vjen goli i barazimit nga pika e bardhë e penalltisë pas topit të prekur me dorë nga Pique brenda zonës. Pas pushimit Spanja ka thuajse 80% të mbajtjes së topit por vuan të krijojë hapësira ndaj Rusisë që është rreshtuar e tëra në prapavijë.

Mundësia e parë për shënim vjen nga Iniesta i futur në mesin e pjesës së dytë. Dominimi i Spanjës vazhdoi edhe pas 90 minutave të rregullta, në kohën shtesë

Shtesa e para u dominua nga Spanja, që menjëherë e nisi në sulm duke rrezikuar me Isco, dhe më pas me Asensio dhe Aspas, por pa rezultat. Rusia mbrohet shumë mirë duke mos lënë asnjë hapësirë dhe provon nëpërmjet kundërsulmit. Në fund të shtesës së parë Pique provon me një gjuajtje me kokë pas një goditjeje të lirë, por Akinfeev pret pa vështirësi. Shtesa e dytë nisi me Andres Iniesta që provon me një gjuajtje të fuqishme nga hyrja e zonës. Spanja ka rastin më të mirë për të kaluar në avantazh, pas një aksioni të shpejtë me protagonist Rodrigo, por gjuajtja e tij ndalet nga portieri i Rusisë (109’). Edhe shtesa e dytë nuk dhuroi asgjë përveç disa rasteve të rrezikshme që nuk u konkretizuan dhe ekipet iu drejtuan penalltive.

“La Roja” ekzekuton penalltinë e parë dhe Iniesta nuk gabon ashtu si Smolov. Është radha e spanjollëve me Pique, i cili sërish shënon. Të njëjtën gjë bën edhe Ignashevich dhe 2-2. Koke është lojtari i radhës që gjuan, por spanjolli gabon fatalisht dhe Rusia kaloi në avantazh me Golovin. Ramos barazon përkohësisht, por Cheryshev shënon sërish. Aspas ka në dorë shanset e kualifikimit, por spanjolli gabon me Akinfeev që pret penalltinë dhe Rusia kualifikohet në çerekfinale.