Rusi, lideri opozitar thërret popullin të dalë në rrugë

Lideri opozitar në Rusi, Alexei Navalny, i bëri thirrje popullit që të dalë në rrugë për të protestuar kundër projekt-ligjit qeveritar për rritjen e moshës së daljes në pension

Lideri opozitar në Rusi dhe themeluesi i “Fondit të luftës kundër korrupsionit” Alexei Navalny, i bëri thirrje popullit që të dalë në rrugë për të protestuar kundër projekt-ligjit qeveritar për rritjen e moshës së daljes në pension, transmeton Anadolu Agency (AA).

Navalny, në postimin e tij nga llogaria në Twitter, tha se rritja e moshës për dalje në pension në 65 vjeç për burrat, 63 vjeç te gratë është “krim”.

“Në aspekt statistikor 40 për qind e burrave dhe 20 për qind e grave në Rusi nuk do të mund ta presin moshën për pensionim. Nuk ka lidhje se dje kë e keni votuar. Tani dilni në rrugë sepse nesër nuk mund ta prisni pensionimin”, tha Navalny në postimin e tij.

Ai thekson se janë mbledhur 1.2 milionë nënshkrime për të organizuar protesta në qytetet ku nuk zhvillohen ndeshjet e Kampionatit Botëror. Navalny i bëri thirrje popullit që më 1 korrik të protestojnë kundër këtij projekt-ligji.

Qeveria ruse ka dorëzuar projekt-ligjin në Duma, Dhomën e Ulët të Parlamentit rus më 14 qershor. Projekt-ligji parasheh që mosha e pensionimit të rritet nga 60 në 65 vjeç për burrat, ndërsa nga 55 në 63 vjeç te gratë.