“Rumania fuqishëm mbështet anëtarësimin e Turqisë në BE”

"Ne mbështesim procesin me Turqisë dhe në mënyrë specifike theksojmë atë në letrat tona. Këtë e themi publikisht dhe me zë të lartë që nga fillimi i presidencës tonë”, tha ambasadori rumun në Ankara

Ambasadori i Rumanisë në Turqi, Gabriel Sopanda, ka deklaruar se vendi i tij “në mënyrë të hapur dhe fuqishëm” mbështet procesin e pranimit të Turqisë në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një seminar të diplomacisë dhe paqes në Universitetin e Ekonomisë dhe Teknologjisë TOBB, në kryeqytetin Ankara, Sopanda theksoi se që nga muaji janar zyrtarët turq disa herë u ftuan për të marrë pjesë në takimet formale dhe joformale në Bukuresht.

“Ne mbështesim procesin me Turqisë dhe në mënyrë specifike theksojmë atë në letrat tona. Këtë e themi publikisht dhe me zë të lartë që nga fillimi i presidencës tonë”, tha ambasadori rumun në Ankara.

Në fillim të këtij viti, Rumania mori përsipër kryesimin e Këshillit të BE-së.

Duke iu referuar votimit të planifikuar në Parlamentin Evropian mbi raportin e përparimit të Turqisë, Sopanda tha se vota pason “ndarjen politike” brenda Evropës.

“Nuk është një votë që do të jetë e detyrueshme për t’u ndjekur nga shtetet anëtare ose institucionet”, u shpreh ai.

Më vonë gjatë ditës, Parlamenti Evropian votoi për të pezulluar zyrtarisht negociatat e pranimit me Turqinë.

Sopanda theksoi se nuk ka ndryshim në qëndrimin e Rumanisë lidhur me Turqinë.

Turqia aplikoi për anëtarësim në Komunitetin Ekonomik Evropian (një pararendës i BE-së) në vitin 1987.

Vendi u bë i pranueshëm për anëtarësimin në BE në vitin 1997 dhe bisedimet e pranimit filluan në vitin 2005.