Rukiqi: Kosova ka investimet e huaja direkte më të ulëta në rajon

Rukiqi tha se është regjistruar një trend pozitiv i rritjes ekonomike dhe se në vitin 2018 rritja ekonomike ishte 4.2 për qind. Si pozitive, ai theksoi reformën fiskale, e cila në veçanti ndihmoi sektorin e prodhimita

 Rritja e taksës 100 për qind mbi importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka çuar në ngritjen e vetëdijes në lidhje me nevojën e blerjes së prodhimeve vendore, konstatoi kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në konferencën vjetore për shtyp, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke vlerësuar vitin që po shkon, Rukiqi tha se është regjistruar një trend pozitiv i rritjes ekonomike dhe se në vitin 2018 rritja ekonomike ishte 4,2 për qind, ndërsa në vitin 2017 ishte 3,7 për qind. Si pozitive, ai theksoi reformën fiskale, e cila në veçanti ndihmoi sektorin e prodhimit.

“Sot 650 kompani të prodhimit përfitojnë nga ndryshimi në politikën fiskale dhe në shumicën e rasteve në mesin e këtyre 650 kompanive kemi trend pozitiv të rritjes së prodhimit. Kemi edhe trend pozitiv të rënies së shkallës kamatore dhe përafërsisht jemi në nivelin rajonal, por edhe këtu kemi nevojë të pasurojmë instrumentet bankare për të mbështetur kompanitë”, tha Rukiqi.

Ai theksoi se megjithëse ende nuk ka një vlerësim të plotë të efekteve të ngritjes së taksës prej 100 për qind mbi importet e produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, është evidente se ka pasur një rritje të ndërgjegjësimit për nevojën e blerjes së produkteve vendore dhe produkteve alternative nga vendet e tjera.

“Kjo ngritje e vetëdijes është efekti më pozitiv i rritjes së taksës meqë krijohet stabilitet edhe në orientimin e konsumatorëve, ndërsa mund të krijojë stabilitet edhe në sektorin tonë të prodhimit. Si ngritje të vetëdijes e konsideroj edhe faktin se shumë kompani tona kanë riorientuar politikat afariste në kërkimin e mundësisë në vendet tjera”, tha Rukiqi.

Sa i përket investimeve të huaja, Rukiqi tha se, pavarësisht numrit të madh të markave që kanë hyrë në vend këtë vit, edhe më tej ka investime më të ulëta direkte qoftë në vlerë të përgjithshme, qoftë për kokë banori në rajon. Rukiqi tha se Kosova financon rreth 400 milionë euro skema sociale, që nuk prodhon asnjë vend pune, në vend që të përdorë 100 deri në 150 milionë nga skema sociale për të nxitur investimet e huaja direkte, të cilat do të çonin në krijimin e të paktën 10 mijë vendeve të reja të punës.

Ai theksoi se ekonomia gri dhe konkurrenca e padrejtë paraqesin pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe për këtë shkak Oda Ekonomike e Kosovës vitin e ardhshëm do ta shpall vit të luftës kundër ekonomisë gri.