Rritja e pragut të TVSH, biznesi i vogël: Mund të rrisë taksat e tjera

Por, rritja e pragut të TVSH-së shihet me skepticizëm nga përfaqësuesit e biznesit të vogël.

Pragu i TVSH do të rritet nga 2 milionë në 10 milionë lekë xhiro në vit për biznesin e vogël, ndërsa nuk do të paguajnë tatim fitim deri në fund të vitit 2029, siç pohoi edhe vetë ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj.

Por, rritja e pragut të TVSH-së shihet me skepticizëm nga përfaqësuesit e biznesit të vogël.

Sipas tyre, nisma e qeverisë mund të lehtësojë ndjeshëm sipërmarrjen, por kompensimi i humbjeve në buxhet mund të sjellë një rritje të taksave nga pushteti vendor.

Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël Shpëtim Agolli deklaron se ndryshimet  e shpeshta ligjore e kanë vënë në vështirësi të mëdha biznesin pasi krijojnë paqartësi në pagesat që ata duhet të bëjnë si dhe në planet e tyre të investimit.

“Duhet të kemi parasysh, përveç impaktit pozitiv, edhe ato shumë negative. Duke përjashtuar pjesë të këtyre bizneseve do të thotë që kjo pjesë e taksave do t’i mungojë shtetit, atëherë shteti do të përdorë taksat vendore, dhe do t’i rrisë, mos harroni se jemi ne një vit elektoral”, thotë Agolli për A2.