Rritet numri i të prekurve dhe të vdekurve nga koronavirusi

Numri i personave të prekur nga virusi ka arritur në mbi 24 mijë, shumica e tyre në Kinë.

Numri i rasteve të reja të personave të prekur, apo atyre që kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit, vazhdon të rritet. Sipas shifrave të fundit, deri tani kanë vdekur 490 vetë, shumica dërmuese në Kinë. Numri i personave të prekur nga virusi ka arritur në mbi 24 mijë, shumica e tyre në Kinë. Në 23 vende të tjera, janë konfirmuar deri tani rreth 150 raste. Në Filipine, është regjistruar viktima e vetme deri tani jashtë Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se përhapja e koronavirusit, nuk ka arritur ende nivelin e një pandemie. Dr. Sylvie Briand, drejtore e OBSH-së për sëmundjet pandemike, u tha gazetarëve në Gjenevë të martën se situata ndodhet në fazën “e një epidemie me vatra të shumëfishta”.

Dy linja ajrore amerikane njoftuan të mërkurën planet për të pezulluar përkohësisht fluturimet për në Hong Kong. “American Airlines” dhe “United Airlines” thanë se do t’i ndërpresin fluturimet deri më 20 shkurt.

Shtetet e Bashkuara filluan të hënën karantinën e detyruar 14-ditore për qytetarët amerikanë që kanë vizituar provincën Hubei, kryeqyteti i së cilës është Wuhani. Ndërkohë shtetasve jo-amerikanë që kanë vizituar Kinën javët e fundit u është ndaluar hyrja në SHBA.

Departamenti i Mbrojtes tha se rreth 350 amerikanë u larguan sot nga Wuhani me dy aeroplanë charter dhe pritet të mbërrijnë në një bazë ajrore në Kaliforni. /VoA