Rriten të ardhurat për tiranasit, varfërohen kuksianët

Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në vend ka shënuar rritje duke regjistruar vlerën 513 mijë lekë. Krahasuar me vitin 2015, PBB për frymë u rrit me 3,0%

Tirana dhe Vlora kanë qenë kontribuueset kryesore në rritjen ekonomike në vend për vitin 2016. Të dhënat e Institutit të Statistikave për Prodhimin e Brendshëm Bruto, sipas Rajoneve Statistikore, tregojnë se vitin 2016, PBB me çmime korrente u vlerësua 1.475.251 milionë Lekë, duke shënuar një rritje në terma realë prej rreth 3,35%, krahasuar me vitin 2015.

“Kontributin më të madh në rritjen ekonomike për vitin 2016, e ka dhënë Qarku i Tiranës me +1,62 pikë përqindje, ndjekur nga Qarku i Vlorës me + 0,44 pikë përqindje dhe Qarku i Durrësit me +0,39 pikë përqindje. Kontributin më të ulët në rritjen ekonomike e ka dhënë Qarku i Fierit me -0,50 pikë përqindje, i pasuar nga Qarku i Kukësit me një kontribut prej -0,04 pikë përqindje dhe Qarku i Gjirokastrës me një kontribut prej +0,06 pikë përqindje” thuhet në njoftimin e INSTAT.

I njëjti vlerëson se sipas rajoneve statistikore në nivel 3, rritjen më të lartë e shënoi Qarku i Vlorës me një rritje në terma realë prej 7,69%, i ndjekur nga Qarku i Korçës me një rritje në terma realë prej 6,20 % dhe Qarku i Dibrës me një rritje në terma realë prej 6,19%.

“Rritja ekonomike u ngadalësua në Qarkun e Fierit, duke shënuar një rënie në terma realë prej 4,22% dhe në Qarkun Kukës me një rënie në terma realë prej 2,04% PBB për frymë sipas niveleve statistikore” thuhet në raport.

PBB për frymë

Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në vend ka shënuar rritje duke regjistruar vlerën 513 mijë lekë. Krahasuar me vitin 2015, PBB për frymë u rrit me 3,0% shkruan Monitor.al.

Lidhur me nivelin më të lartë të PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore, në vitin 2016, në krye ishte Tirana me 669 mijë lekë dhe shënoi një rritje prej 1,9% krahasuar me vitin 2015.

“PBB për frymë e këtij qarku ishte 36,4% mbi mesataren e vendit. Më pas renditet Qarku i Fierit, me 530 mijë lekë, duke shënuar një rënie prej 4,2 % ndaj vitit 2015. PBB për frymë e këtij qarku ishte 3,3% mbi mesataren e vendit. Niveli më i ulët i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel 3 në vitin 2016, u vlerësua në Qarkun e Kukësit me rreth 314 mijë lekë duke shënuar një rënie me 1,2 %, krahasuar me vitin 2015. PBB për frymë e këtij qarku ishte 38,8 % nën mesataren e vendit. Më tej, me PBB-në për frymë më të ulët vijon Qarku i Elbasanit me rreth 360 mijë Lekë duke shënuar një rritje me 3,8% ndaj vitit 2015. PBB për frymë e këtij qarku ishte 29,9 % nën mesataren e vendit” vlerëson INSTAT.

Standardi i Fuqisë Blerëse

“PBB e Republikës së Shqipërisë e shprehur në Standardin e Fuqisë Blerëse (Purchasing Power Standard – PPS) në vitin 2016 është 24.468 PPS.

PBB për frymë në PPS për vitin 2016 për Republikën e Shqipërisë është 29,1 % e mesatares së Bashkimit Evropian BE28 = 100 (shih shënime metodologjike).