Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Republikës së Turqisë përmes një delagacioni të saj, i kryesuar nga kryetari Adnan Ertem ka realizuar një vizitë në Shqipëri, për të diskutuar me autoritetet shqiptare në lidhje me bashkëpunimin për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër dhe për çështje të tjera.
Delegacioni nga Turqia së bashku me ambasadorin turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük realizuan një takim me ministren e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, me fokus diskutimet në lidhje me projektin e restaurimit të Xhamisë së Plumbit në Shkodër.
Ministrja e Kulturës, Margariti në një prononcim mediatik gjatë takimit me delegacionin turk tha se kishin diskutuan për të gjithë marrëveshjen, për fillimin e punimeve në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, që sipas saj, ka qenë një nevojë e gjatë jo vetëm e Ministrisë së Kulturës, por edhe vetë banorëve të zonës.
“Diskutuam për aspektet ligjore për pjesën e këtyre marrëveshjeve që janë pjesë normale e të gjithë draftimit të marrëveshjeve. Jemi mëse falënderues për faktin që një përfaqësi e tillë kaq e specializuar do na gjendet pranë. Për ne janë momente shumë të mira edhe për të mësuar ne më shumë edhe për të shkëmbyer eksperienca dhe për filluar punë dhe pse jo punë të tjera bashkëpunimi”, tha ajo.
Në lidhje me ndihmat dhe mbështetjen e shtetit turk, pas tërmetit të 26 nëntorit, Margariti theksoi se “Na kanë ofruar një ndihmë shumë të madhe si me ekspertët që kanë ardhur menjëherë për identifikim e dëmeve, si për ekspertët që kanë ardhur për të identifikuar zonën e përshtatshme ku 500 shtëpitë e premtuara nga shteti turk do të ndërtohen. Jemi në kontakte të vazhdueshme të përditshme. Kanë qenë 3 javë intensive bashkëpunimi me qeverinë turke dhe më bëhet qejfi që po e vazhdojmë po ashtu edhe në aspektin e monumenteve të kulturës”.
Ambasadori turk, Yörük, u shpreh se negociatat për projektin e restaurimit të Xhamisë së Plumbit në Shkodër kanë zgjatur më shumë se dy vite dhe theksoi se rëndësia e kësaj vepre është shumë e madhe.
“Xhamia e Plumbit mund të themi që është një nga veprat më të çmuara të trashëgimisë sonë të përbashkët kulturor në Shqipëri, mbase një ndër një mijë veprat më historike të Shqipërisë. Restaurimi i kësaj vepre historike, Xhamisë së Plumbit në Shkodër, uroj dhe shpresoj që të shërbejë tashmë si pikë referimi për Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve që të vazhdojë dhe restaurimin e veprave të tjera si dhe në realizimin e projekteve të tjera në vazhdim”, tha ambasadori Yörük.
Yörük u shpreh se “Me përpjekje të përbashkëta urojmë që për të tilla vepra qoftë për restaurimin, qoftë rindërtimin, që të bashkëpunojmë së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve”.
Ai tha se shpresojnë që pranvera e vitit 2020 do të jetë shumë e dobishme në fillimin e këtij projekti, që sipas tij, për të cilin janë mbyllur negociatat e firmosjes së protokollit për Xhaminë e Plumbit në Shkodër.
Kryetari i Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Republikës së Turqisë, Adnan Ertem, tha se qëllimi i vizitës në Shqipëri është në lidhje me restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër. “Ky është një projekt për të cilin është folur para dy vitesh dhe tashmë me vizitën që kemi bërë në Shqipëri besoj se është arritur në fazën e fundit të firmosjes së këtyre protokolleve. Shpresojmë që në një kohë shumë të afërt duke e përfunduar këtë akt protokolli, do arrijmë duke filluar punimet sa më shpejt”, tha Ertem.
Ai theksoi se ky monument historik ka një vlerë shumë të çmuar dhe shtoi se “përafërsisht në gjeografinë totale ballkanike figurojnë gati 50 vepra të cilat ose janë duke vazhduar projektet ose janë në përfundim e sipër. Uroj që të jetë një vepër shembull për të gjithë shqiptarët”.
Vlen të përmendet se gjatë regjimit komunist objektet e kultit që i rezistuan rrënimit nga autoritetet e kohës ishin të pakta, e ndër ta ishte edhe Xhamia e Plumbit në Shkodër. Kjo xhami është një monument kulture i kategorisë së parë, që nënkupton se me këtë status ky objekt ruhet nga shteti dhe sipas ligjeve shqiptare duhet të tregohet një kujdes ndaj saj. Ajo njihet ndryshe edhe si xhamia Mehmet Pashë Bushatit, pasi u ndërtua nga ky i fundit në vitet 1773-1774.
Xhamia e Plumbit në Shkodër përveç arkitekturës të stilit osman, ka edhe vlera të tjera historike, pasi ajo shërbeu në fillimet e tranzicionit shqiptar si një ndër xhamitë e para, ku besimtarët myslimanë filluan ritet fetare të ndaluara për disa dekada nga regjimi komunist. Pas shumë përpjekjesh dhe përgatitjesh më 16 nëntor 1990, që përkonte edhe me ditën e xhuma, u krye falja nga besimtarët myslimanë.
Specialistët pohojnë se për nga forma, ndërtimi është mbështetur në arkitekturën e xhamive të sulltanëve të Stambollit dhe është e vetmja në Shqipëri që ka disa specifika si oborrin me kolona të gjera para hyrjes në sallën e faljes.