Renata Deskoska: Qytetarët e Maqedonisë meritojnë demokraci funksionale

"Jemi të vetëdijshëm se nga implementimi i aktiviteteve në këtë sferë shumë do të varen edhe reformat në sferat tjera që duhet t’i përmbushim", tha ministrja Deskoska

Një nga segmentet kyçe të sundimit të së drejtës është pavarësia e gjyqësorit. Pranimi dhe respektimi i këtij parimi fundamental pa mëdyshje kontribuon për rritjen e besimit në sistemin juridik, deklaroi ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska në seminarin e 98-të Rose-Roth në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pikërisht për këtë shkak, siç theksoi ajo, strategjia më e re e Komisionit Evropian për zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025, theks të veçantë u vendos aktiviteteve reformuese në fushën e sundimit të së drejtës.

“Jemi të vetëdijshëm se nga implementimi i aktiviteteve në këtë sferë shumë do të varen edhe reformat në sferat tjera që duhet t’i përmbushim. Në këtë kontekst sigurimi i pavarësisë së plotë në gjyqësor, përforcimi i institucioneve të sistemit dhe lufta kundër korrupsionit paraqesin tre prioritetet tona kulmore”, tha Deskoska.

Ajo potencoi se gjatë viteve të kaluara në Republikën e Maqedonisë sistemi i së drejtës dhe pavarësia e gjyqësorit kanë qenë tërësisht të degraduara, që u konstatua edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare.

“Duke u nisur nga këto dobësi të locuara, Qeveria e Republikës së Maqedonisë miratoi strategjinë për reforma në sektorin e jurisprudencës me planin aksional për periudhën 2017/2022 dhe filloi reformat në sistemin gjyqësor të cilat duhet të kontribuojnë për kthimin e besimit në institucionet, sigurimin e sigurisë juridike, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe krijimin e atmosferës së gjyqësorit të lirë pa kurrfarë presionesh politike”, tha Deskoska.

Sipas saj, qëllimi primar është vendosja e parimit të sundimit të së drejtës me përforcimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqësorit dhe Prokuorisë publike, reformimin e Këshillit gjyqësor dhe Këshillin e prokurorëve publik, rritjen e efikasitetit të Këshillit gjyqësor dhe Këshillin e prokurorëve publik, rritjen e efikasitetit të gjyqësorit, gjegjësisht evropianizimi i gjyqësorit dhe prokurorisë publike përmes vendosjes së standardeve.

Nga sot e deri të premten në Kuvendin e Maqedonisë do të mbahet Seminari i 98-të Rose-Roth. Seminari është në organizim të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me temë “Integrimi euroatlantik i Ballkanit Perëndimor: Përforcimi i projektit paqësor evropian”.