Referendumi në Maqedoni, deri në ora 17 votuan 28,83 për qind

Derkoski bëri të ditur se numri më i madh i daljes së qytetarëve në votim është regjistruar në komunën Saraj me 54,21 për qind, ndërsa komuna Ilinden me 14,47 për qind është komuna me numrin më të vogël të jehonës së votuesve

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) i Maqedonisë ka bërë të ditur se në referendumin që parasheh ndryshimin e emrit dhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE), jehona e votuesve deri në orën 17 është 28,83 për qind apo gjithsej 455.771 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski, theksoi se procesi i votimit është duke u zhvilluar në mënyrë të rregulltë, pa ndërprerje dhe pa probleme të mëdha.

Derkoski shtoi se shumica e kundërshtesave që parashtrohen vazhdojnë të jenë si më herët, ajo që disa qytetarë nuk figurojnë në listën e votuesve. Ai theksoi se kundërshtesat janë hedhur poshtë, për shkak se nuk kanë pasur dokumente valide të identifikimit.

“Nga 87,25 për qind e të dhënave të përpunuara nga qendrat e votimit, kanë votuar 455.771 votues, respektiivisht 28,83 për qind e qytetarëve të regjistruar në listën zgjedhore”, tha Derkoski.

Ai bëri të ditur se numri më i madh i daljes së qytetarëve në votim është regjistruar në komunën e Sarajit me 54,21 për qind, ndërsa komuna e Ilindenit me 14,47 për qind është komuna me numrin më të vogël të jehonës së votuesve.

Kjo është konferenca e parafundit për media nga gjithsej gjashtë të paralajmërua nga ky institucion, ku informon për procesin dhe daljen e votusve. Konferenca e fundit zyrtare është paralajmëruar për në ora 19:00.

Gjithsej 1.806.836 qytetarë të Maqedonisë me të drejtë vote do të kenë mundësi të shfrytëzojnë të drejtën e tyre deri në orën 19:00 në 3.513 vendvotime në 80 komuna të vendit. Që referendumi të kalojë i suksesshëm, pjesëmarrja e votuesve duhet të jetë mbi 50 për qind nga numri i qytetarëve të regjistruar në listën e votuesve.

Pyetja e referendumit, që është i treti me radhë në nivel shtetëror në 27 vite të pavarësisë së Maqedonisë, është “A jeni për në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë”. Ky referendum vjen pas marrëveshjes në qershor midis Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe paraqet kushtin kryesor për anëtarësim të vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.

Referendumi është konsultativ dhe ligjërisht nuk është i detyrueshëm. Megjithatë, qeveria maqedonase deklaroi se rezultati i referendumit do të konsiderohet i detyrueshëm. Në rast të një rezultati pozitiv të referendumit, vendimi përfundimtar për marrëveshjen me Greqinë do të miratohet nga Kuvendi i Maqedonisë, ku për ndryshime kushtetuese do të nevojitet vota e dy të tretave të deputetëve.

Pas përfundimit të këtij procesi në Maqedoni, nevojitet që marrëveshja të ratifikohet nga Parlamenti grek.