Real Madrid ka shkarkuar trajnerin Julen Lopetegui pas disfatës në El Clasico ndaj Barcelona-s.
Gjigantët spanjollë aktualisht ndodhen në vend të nëntë të La Liga-s pas ndeshjes së gjashtë pa fitore dhe humbjes së tretë radhazi.
Disfata e fundit ndaj Barça-s ka vulosur shkarkimin e trajnerit spanjoll. Santiago Solari është emëruar si trajneri i përkohshëm, raporton telesport.
Lopetegui u transferua te Real gjatë verës, duke u larguar nga përfaqësuesja spanjolle vetëm disa ditë përpara se të fillonte Kupa e Botës.
Por ai ka paguar çmimin e një starti të tmerrshëm të sezonit
Santiago Solari (42), është trajneri i ri i Real Madridit. Ai do të ketë dy javë për të dëshmuar veten nëse mund të bëjë kthesë nga situata aktuale katastrofike dhe njëherësh të tregohet nëse është njeriu i duhur për pankinën e “klubit mbretëror”.
Sipas pretendimeve të medias spanjolle, pas shkarkimit të mbrëmshëm të Lopeteguit, Solari i cili u emërua përkohësisht për trajner të Realit, mund edhe të mbetet nëse gjërat fillojnë të shkojnë për së mbari në klub.
Para Solarit është periudha dy javore gjatë të cilës “mbretërit” do të luajnë 4 ndeshje.
Trajneri argjentinas është në rrugë të ngjashme sikur Zinedine Zidane. Ishte trajner në kategoritë e reja të Realit, ndërsa para se të bëhet ndihmës i Lopeteguit, ai drejtonte ekpin B. Në këtë pozitë në vitin 2016 zëvendësoi Zidanen.
Reali në 7 ndeshjet e fundit regjistroi 5 disfata, një barazim dhe vetëm një fitore kundër Viktoria Plzen me 2:1 në Ligën e Kampionëve. Lopetegui përjetoi debakël në Camp Nou në “El Clasico” ku të dielën u mposht nga Barcelona me rezultatin 5:1. Pas xhiros së 10-të në La Liga, “klubi mbretëror” zë vendin e 9 me 14 pikë, 7 më pak se kryesuesja Barça.
Solari gjatë karrierës së tij, përveç në Real, ka luajtur për River Plate, Atletico Madrid, Inter, San Lorezno, Atlante dhe Penarol. Për kombëtaren e Argjentinës ka luajtur 11 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol. Si trajner ka filluar të angazhohet në grupmoshat e reja të Realit në vitin 2013.