“Reagimi i Turqisë ndaj sulmit terrorist në Zelandë të Re ishte njerëzor dhe islam”

"Përgjigjja e Turqisë ishte e menjëhershme, e dhembshur, njerëzore dhe islame. Reagimet islame dhe njerëzore shkojnë bashkë me njëra-tjetrën", tha Qureshi në një intervistë për AA

Reagimi i Turqisë ndaj sulmit terrorist në dy xhami në Zelandën e Re që la të vrarë 50 persona ishte “njerëzor dhe islam”, tha ministri i Jashtëm i Pakistanit, Shah Mehmood Qureshi.

Duke folur në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA) në Stamboll në margjina të takimit të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI), Qureshi e përshkroi si “tragjik” sulmin e dyfishtë ndaj xhamive.

“Ne ishim të tronditur dhe të tmerruar nga ajo që ndodhi sepse kishte njerëz të pafajshëm që u mblodhën në xhami për t’u falur, duke mos dëmtuar askënd, vetëm për të bërë adhurime”, tha Qureshi.

“Ata u vranë me gjakftohtësi. E gjithë kjo gjë është filmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për të krijuar një ndjesi për të fituar pikë”, vlerëson kryediplomati pakistanez.

“Në të njëjtën kohë, ne jemi të tronditur se islamofobia në rritje nuk po trajtohet, ashtu siç duhet të ishte trajtuar. Incidente të tilla po përsëriten gjithandej. Një vend paqësor si Christchurch, një shtet paqësor dhe shumë miqësor si Zelanda e Re, në qoftë se ndodhin sulme, asgjë nuk është e sigurt dhe asnjë vend nuk është i sigurt”, tha ai.

Të premten e kaluar, të paktën 50 muslimanë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën kur një terrorist, i identifikuar si Brenton Tarrant, 28 vjeç, i lindur në Australi, hyri në xhamitë Al Noor dhe Linwood në qytetin Christchurch dhe hapi zjarr mbi adhuruesit, duke përfshirë katër fëmijë më të vegjël se 18 vjeç.

Stambolli dje ishte nikoqir i një takimi urgjent të OBI-së me kërkesë të Turqisë, ku mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i Zelandës së Re dhe ministri i Jashtëm Winston Peters.

Thirrja e këtij takimi, tha shefi i diplomacisë pakistaneze, është bërë me kohë dhe do të krijojë një mjedis të unitetit brenda botës muslimane dhe të vetëdijes përtej saj për t’u marrë me çështje të tilla.

Sipas tij, Turqia luan një rol pozitiv në OBI pas sulmeve të tilla.

“Përgjigjja e Turqisë ishte e menjëhershme, e dhembshur, njerëzore dhe islame. Reagimet islame dhe njerëzore shkojnë bashkë me njëra-tjetrën”, tha Qureshi

“Reagimi i Pakistanit ishte gjithashtu i menjëhershëm. Natyrisht, kemi humbur po ashtu nëntë persona dhe njëri është ende në gjendje kritike”, shtoi ai.

Qureshi gjithashtu kujtoi se një pakistanez i guximshëm pakistanez u vra në sulmet terroriste në Zelandën e Re.

“Një person pakistanez u vra në përpjekje për të shpëtuar jetë. Ai nuk ishte në gjendje të shpëtojë djalin e vet, por mbrojti shumë njerëz të tjerë të pafajshëm. Ai po shpërblehet dhënë do t’i jepet çmimi më i lartë civil nga qeveria e Pakistanit”, tha ministri i Jashtëm pakistanez.

Masakra u transmetua drejtpërdrejt në rrjetet sociale dhe u shoqërua me publikimin e një manifesti racist dhe islamofobike që gjithashtu sulmonte Turqinë dhe presidentin e saj Recep Tayyip Erdoğan.

Në lidhje me këtë, Qureshi tha se Erdoğan është një “person që nuk e kursen fjalën dhe merr një qëndrim shumë të qartë në kohë të vështira”.

“Çdo individ, i cili flet hapur me qartësi dhe në mënyrë të pavarur, shihet si një kërcënim për shumëkë”, tha ai.

Qureshi shprehu shpresë për marrjen e masave globale “për të menaxhuar këtë prirje në rritje të islamofobisë”.

“Mendoj se mediat duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e një mjedisi më të mirë dhe trajtimin e kësaj çështjeje. Mediat sociale duhet të luajnë një rol më të përgjegjshër, ndërsa ata që mendojnë dhe kujdesen për njerëzit në kryeqendrat perëndimore duhet të jenë më të zëshëm kundër islamofobisë”, vlerëson ai.

Duke folur për ekstremizmin në rritje në Perëndim, Qureshi tha se ekziston një element i ekstremit të djathtë, i cili, siç tha ai, për fat të keq tani është gradualisht në rritje në Perëndim. Ata, shton ai, kanë qëndrime islamofobike dhe ekstremiste.

– Tensionet me Indinë

Tensionet mes Pakistanit dhe Indisë u përshkallëzuan kohët e fundit pas një bombardimi vetëvrasës në rajonin e kontestueshëm Xhamu Kashmir, ku jetën humbën 40 trupa paraushtarake indiane më 14 shkurt.

Qureshi i quajti tensionet e fundit midis dy fqinjëve bërthamorë si “të pafat”.

“Pakistani kurrë nuk donte tensione. Pakistani dëshironte ta zbusë situatën”, thekson ai.

“Pakistani u sulmua. Kishte një akt agresioni kundër Pakistanit. Hapësira ajrore jonë u shkel, sovraniteti ynë dhe integriteti territorial u sulmuan. Pra, Pakistani nuk kishte zgjedhje, por u kundërpërgjigj për vetëmbrojtje. U kemi thënë indianëve që kemi çështje mes nesh, por le të përpiqemi ta zgjidhim çështjen përmes dialogut të qëndrueshëm dhe të pandërprerë”, tha Qureshi.

“India mbase nuk është gati akoma”, tha ministri i Jashtëm, por shfaqi shpresë se dy vendet do të ulen në tryezë dhe do të zgjidhin çështjet pas zgjedhjeve të ardhshme në Indi në prill dhe maj.

Duke e cilësuar Pakistanin si “konstruktiv, angazhues dhe pozitiv” përsa i përket zbutjes së tensioneve me Indinë, Qureshi tha: “Pavarësisht se u sulmuam, menjëherë liruam pilotin e tyre si një gjest i vullnetit të mirë dhe si një gjest paqeje”.

Xhammu Kashmir, një rajon himalajan me shumicë muslimane, kontrollohet pjesërisht nga India dhe Pakistani dhe të dy vendet pretendojnë kontroll të plotë mbi tërë rajonin. Një pjesë e vogël e Kashmirit kontrollohet gjithashtu nga Kina.

Që kur u ndanë në vitin 1947, dy vendet kanë zhvilluar tri luftëra, në vitin 1948, 1965 dhe 1971, dy prej tyre për Kashmirin.

– Marrëdhëniet me Turqinë

Në lidhje me marrëdhëniet midis Turqisë dhe Pakistanit, Qureshi tha se raportet mes dy vendeve gjithmonë kanë qenë të mira.

“Inshallah, ata gjithmonë do të mbeten të mira. Pakistanezët i vlerësojnë këto marrëdhënie”, thotë Qureshi.

Duke thënë se marrëdhëniet nuk janë të përqendruara vetëm te qeveritë dhe liderët, por edhe te vetë njerëzit, ai tha se “Turqit buzëqeshen kur takohen me një pakistanez”.

“Pakistanezët kanë ndjenja të ngrohta për turqit. Ne kemi një histori. Kemi një të ardhme së bashku”, tha për AA ministri i jashtëm Pakistanez, Shah Mehmood Qureshi.