“Raporti i PE-së për Turqinë i përgatitur nga politikanë ekstremistë”

Şentop tha se raporti i PE-së është “i njëanshëm, i padrejtë dhe i pabazë”

Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop, ka deklaruar se raporti i Parlamentit Evropian (PE), që kaloi këtë javë për të pezulluar procesin e pranimit të Turqisë në Bashkimin Evropian (BE), është përgatitur nën direktiva të “politikanëve racistë dhe ekstremistë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Şentop i cili merr pjesë në mbledhjen parlamentare të Organizatës së Bashkëpunit Islamik (OIC) që mbahet në Rabat të Marokut, tha se raporti i PE-së është “i njëanshëm, i padrejtë dhe i pabazë”.

“Turqia në qëllimet e saj ka treguar sinqeritet lidhur me procesin e saj të anëtarësimit në BE dhe të stabilitetit. Po ashtu është për t’u brengosur për BE-në, pasi ky vendim erdhi para një kohe të shkurtë para rifillimi të negociatave”, tha Şentop, duke iu referuar takimit të Këshillit të Asocimit Turqi-BE të së premtes, takim i parë në katër vite.

Sipas tij, “BE përballet me një krizë identiteti”.

“Pas vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për të lëshuar bllokun, BE-ja ka pësuar një dëm të madh brenda kuadrit të dimensioneve të saj politike. Shumë vende anëtare të BE-së po diskutojnë nëse do të mbeten së bashku ose jo”, theksoi Şentop.

Dje, PE-ja votoi kundër negociatave të pranimit të BE-së dhe u bëri thirrje vendeve evropiane që të pezullojnë zyrtarisht procesin. Raporti u miratua me një votim prej 370 kundrejt 109 votave, si dhe me 143 abstenime.

Raporti i Komisionit të vitit 2018 për Turqinë, i përgatitur nga raportuesi Kati Piri, muajin e kaluar kaloi Komisionin e Punëve të Jashtme të PE-së.

Raporti këshillues, por jo-detyrues, tërhoqi kritika nga Turqia, vend i cili aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 1979 dhe bisedimet për anëtarësimin e së cilës filluan në vitin 2005. Por, bisedimet ngecën në vitin 2007 për shkak të kundërshtimeve të administratës së Qipros Greke në ishullin e ndarë të Qipros, si dhe kundërshtimit nga Gjermania dhe Franca.