Rama: Kriza energjetike? Nuk e kemi kapacitetin prodhues që të sigurojmë sovranitet të plotë. Bëni moratorium heshtje

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me kryetarin e PD-së Lulzim Basha për çështjen e çmimit të energjisë. Pas disa minutash shkëmbime replikash me deputetë të opozitës për ta dëgjuar, Rama kërkoi që ata t’i referohen shifrave. Shefi i maxhorancës tha se kemi zgjedhur të jetojmë në një vend të hapur dhe si e tillë, kjo zgjedhje ka dhe goditjen që vjen nga të qenit i hapur.

“Një marrëveshje, kur flasim. A ka mundësi ta bëjmë këtë marrëveshje që kur flasim dëgjohet, na pëlqen nuk na pëlqen. Unë po ju them shifra, tabelat janë atje. Unë po ju them sa lekë nxirrte nga xhepi një drejtues automjeti në Shqipëri që qeverisnit ju për të blerë naftën, diesel dhe benzinën dhe sa nxjerr sot. Sot diesel është 177, dje ishte 182. Patjetër që brenda çmimit të diesel dhe benzinës që dje ishte 186 sot është 179 është brenda dhe detyrimi për të gjithë ata që djegin diesel e benzinë t’ia kthejnë shoqërisë me taksën e karbonit. Kjo nuk ka lidhje me çmimin e bukës. Furrat e bukës, qysh se kemi ardhur ne, energjinë e marrin me çmim preferencial. Rritja e çmimit të bukës lidhje me konjukturën ndërkombëtare me bursën.

Ekonominë e lirë të tregut e kemi zgjedhur të jetojmë në një vend të hapur. Të përfitojmë nga të gjitha të mirat dhe të marrim dhe goditjen që sjell të qenit vend i hapur. Se mbase të kishim qenë vend i mbyllur, as virusi nuk do hynte.

Sa për krizën energjetike, e para është që ne nuk kemi sot një kapacitet të atillë prodhues që të sigurojmë sovranitetin e plotë dhe për këtë po punojmë.

Kur ka shumë shi ne jo vetëm që nuk arrijmë dot të mbledhim rezerva, por siç bënit ju në të shkuarën dhe për fat të keq duhet ta bëjmë ne se nuk bëtë asgjë, jemi të detyruar që kur bien reshje përtej normës, të hapim portat dhe t’i hedhim në fushat e prodhimit ato të ardhura që duhet t’i rentabilizonim e t’i kishim për ditë të vështira. Kemi dy parqe në kantier me energji diellore.

Jemi në diskutime jo vetëm për Skavicën, por dhe atë të Vlorës për ta kthyer në port të hyrjes së gazit të lëngshëm nga SHBA-të. Të gjitha këto do të bëjnë atë që kemi thënë që brenda kësaj dekade do jemi eksportues neto të energjisë dhe atëherë nuk do jemi të varur lartë e poshtë.

Zgjedhja ime është të respektoj inteligjencën e këtij popullit, zgjedhja juaj të talleni. Zgjedhja ime ta respektoj deri në fund, kjo është situata, kjo është përballja. Siç nuk e kemi lënë vetëm as për tërmetin, as për pandeminë, as tani. Kështu mos thoni që doli gogoli se do iu vijë keq.

Aleanca për tërmetin, për përmbytjet, për krizën energjetike nuk ju bën alternativë se do ju kishte bërë se do ishit një zgjedhje e mundshme. Shqiptarët nuk janë budallenj.

Vetëm për energjinë ju duhet të bëni moratorium heshtje për një gjeneratë. Për vota mbyllnit sytë dhe gjysma vidhnin gjysmën tjetër. E keni lënë gropën më të madhe në historinë e planetit në sektorin e energjisë. E si u bëka një kapërcim epokal, duke ju pasur dhe ju në kurriz. E mbushët miletin me llafe, të fusin në burg po s’paguan. Asnjë njeri nuk është futur në burg se nuk kanë paguar energjinë. Vjedhja të fut në burg, se është mall.

Jam shumë dakord që të ardhurat janë ende të ulëta në raport me sfidat. Jam dakord që të ardhurat gjetkë janë më të lartë, por sa paguajnë ata andej. Sa taksa paguajnë, sa sigurime paguajnë, sa nga ajo që ata marrin i kthehet përsëri shoqërisë. Pikërisht për të mos rënduar në këtë fazë njerëzit, jemi i vetmi vend në rajon, në Europë po e po me biznesin e vogël me taksën zero. Ma gjeni kush e ka taksën zero! Me TVSH-në zero deri në 100 milionë xhiro. Natyrisht të gjitha këto janë para që ne i kemi hequr nga mundësia për t’i pasur në arkën e shtetit. Me këto histori me subvencionime, me uljen e TVSH-së çfarë do të thotë, që dikush duhet t’i paguajë ato. Hajdutët, koncesionet vlejnë për veshët e atyre që dëgjojnë pa mendje, por ata nuk janë shumicë. Shumica dëgjon me mendjen e vet. Nuk dëgjon atë që tha pengu apo pengmarrësi”, deklaroi Rama.