Rrjeti social “TikTok” përdoret shpesh nga të rinjtë për të promovuar veprimtaritë e jashtëligjshme.
Në Durrës, disa persona u arrestuan, pas videove që kishin publikuar në këtë aplikacion, ku shfaqeshin duke kryer qitje me armë zjarri, gjatë natës.
Njazi Sula, Mirlind Sula, Klivan Pepkolaj, Klajdi Jaku, Aurel Toshi, Andi Hajdarkolaj dhe Eljos Toshi, të moshave 18-20 vjeç, ranë në pranga, ndërsa një i mitur u vu nën hetim.
Të rinjtë u kapën në flagrancë pas sigurimit të informacionit, se ata po përgatiteshin për të qëlluar në kodrën e fshatit Hamallaj, me armë zjarri që i posedonin pa leje, me qëllim postimin e videove në rrjetin social “TikTok”.
Gjatë operacionit u gjet arma e zjarrit kallashnikov me të cilën të rinjtë kryenin qitje. Në vijim, gjatë kontrollit u u kap babai i njërit prej tyre. Në shtëpinë e 56-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pushkë dhe municion luftarak. Së bashku me armët, u sekuestruan 2 automjetet me të cilat lëviznin këta shtetas, si dhe 8 celularë.