Punonjësit e Postës së Kosovës që tre ditë në grevë

Menaxhmenti i Postës konsideron se kërkesat e punonjësve që mbajnë grevë janë të drejta dhe legjitime, sepse pagat janë të garantuara me ligj dhe përfaqësojnë të drejtën themelore të çdo individi

Menaxhmenti i Postës së Kosovës ka mbështetur grevën e punonjësve të saj në organizim të Sindikatit dikasterial për shkak të mospagesës së pagave për muajin gusht. Ndërmarrja Publike Posta e Kosovës ka vështirësi të mëdha financiare për shkak të borxhit rreth 5 milionë euro nga ana e Qeverisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i përgjithshëm i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha në një konferencë të jashtëzakonshme për media deklaroi se kësaj ndërmarrjeje publike Qeveria e Kosovës i ka borxh 5 milionë euro. Drejtori Hoxha tha se të punësuarit në Postën e Kosovës nga e hëna janë në grevë që është e rëndë dhe dëmton ndërmarrjen.

“Borxhi aktual është diku rreth 5 milionë euro. Ne i kemi shpenzuar këto mjete nga të hyrat vetanake, nga buxheti vetanak i postës, ne i kemi shpenzuar këto mjete për të ofruar shërbimin universal postar ndërsa nga ana tjetër qeveria nuk e ka kryer obligimin ligjor nga ana e tyre për të mbuluar humbjen që janë krijuar”, tha ai.

Posta është e detyruar, siç tha, që pagesën e borxhit ta kërkojë edhe përmes rrugës ligjore dhe rasti ka shkuar në Gjykatën Themelore, që obligoi Qeverinë e Kosovës të mbulojë shërbimet universale postare.

Menaxhmenti i Postës konsideron se kërkesat e punonjësve që mbajnë grevë janë të drejta dhe legjitime, sepse pagat janë të garantuara me ligj dhe përfaqësojnë të drejtën themelore të çdo individi. Drejtori Hoxha shfaqi shpresën se punëtorët do të ndryshojnë mënyrën e shprehjes së pakënaqësisë, pasi gjendja e ndërmarrjes nga greva e tyre edhe më shumë përkeqësohet.

Ai theksoi se është e vërtetë se rreth 80 për qind e hyrjeve të ndërmarrjes shkojnë në paga, por borxhi është zvogëluar dhe kostot janë zvogëluar.

“Ju e dini që ne jemi e vetmja ndërmarrje publike në Kosovë që i kemi zbritur pagat duke filluar nga niveli i kryeshefit ekzekutiv për 30 për qind deri te niveli më i ulët të postierit që e kemi bërë një përqindje më të vogël për shkak të gjendjes së tyre ekonomike. Paga mesatare sot në Postën e Kosovës është rreth 700 euro, më e vogël se 700 në bruto”, tha Hoxha.

Drejtori tha gjithashtu se Posta e Kosovës ka një plan për të dalë nga kriza, që është se pagesa e faturave të energjisë elektrike dhe ujit të bëhen përmes postës, sepse vetëm posta ka licencë për pagesën e faturave dhe kështu të ardhurat mujore të Postës do të rriten me rreth 450 mijë euro në muaj.