Një shpërthim tritoli ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shkodër në banesën e shtetases Frida Sala 62 vjeçe. Ka qenë ora 3:40 kur eksplozivi shpërtheu në shtëpinë e 62-vjeçares. Nga kjo ngjarje ka vetëm dëme materiale të shkaktuara në derën e shtëpisë, mure dhe dritaret që janë thyer dhe një automjet që ndodhej i parkuar.
Ndërkohë brenda banesës ka qenë e gjithë familja Sala. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet për vendosjen e sasisë së tritolit. Efektivët kanë arritur që të sigurojnë pamjet e momentit të autorit të dyshuar i cili vjen me një motorr me skafandër në kokë dhe pasi hedh lëndën eksplozive në banesën e familjes Sala largohet me shpejtësi. Nga kamerat policia nuk ka arritur që ta identifikohej autorin deri më tani për shkak të skafandrës që mbante në kokë. 62 vjeçarja Frida Sala e cila punon në doganën e Hanit të Hotit tek peshorja duke peshuar mallrat që hynë e dalin në atë doganë ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd.
Shtetasja Frida Sala deklaroi se ishin zgjuar dhe po bëheshin gati për të ngrënë vaktin e syfyrit duke qenë se agjërojnë në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit. 62 vjeçarja del në pension për pak muaj dhe policia për momentin nuk e lidh ngjarjen me punën e saj. Policia ka marrë në pyetje edhe djalin e 62-vjeçares, shtetasin Dori Sala, i cili po ashtu ka deklaruar se nuk ka konflikte me askend dhe se nuk e di se kush mund të jenë autorët. Ky i fundit punon në një kompani interneti dhe nuk njihet si një person problematik. Vëllai tjetër ndodhet në Itali dhe punon si shofer kamioni. Deri më tani për policinë është i paqartë motivi i kësaj ngjarje. E gjithë familja bashkë me komshinjtë në një rrugicë të vogël në lagjen “Tom Kola” në Shkodër janë tronditur nga ky shpërthim i fortë i cili është dëgjuar në gjithë atë zonë.