Pse PD-LSI sulmojnë reformën në drejtësi?

Prapaskenat, ja pse PD-LSI sulmojnë reformën në drejtësi, brenda 4 muajve zyrtarizohet SPAK, 10 ish-ministra e zyrtarë të opozitës kanë dosje në prokurori

Përshpejtimi i procedurave të vetingut nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka filluar të shqetësojë jo vetëm gjyqtarët e prokurorët, por dhe politikën shqiptare. Sa më shpejt të ecë vetingu, aq më e afërt do të jetë dita kur do të ngrihen Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Por nëse ngrihen këto organe, do të nisë reprezalja në politikë, pasi kushdo që ka futur duart në xhepat e qytetarëve do të japë llogari. Ditët e fundit po shihet se më e shqetësuar është opozita. Si Partia Demokratike, ashtu dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë nisur një sulm shumë të fortë ndaj reformës. Fillimisht u bllokua ligji për magjistratët, ndërsa më pas PD doli me 7 kushte për të ndryshuar të gjitha ligjet e reformës. Pyetja që lind është: Pse opozita po e sulmon tani reformën? Pse këto sulme nuk ishin kaq të ashpra 2-3 muaj më parë? Pse LSI kur ishte në mazhorancë e mbështeste procesin dhe i votoi të gjitha ligjet, ndërsa tani ka dalë kundër? Sinjalet e ditëve të fundit tregojnë se gjithçka lidhet me avancimin e vetingut dhe me afrimin e SPAK dhe Byrosë së Hetimit. Piramida e ngritur në drejtësi nga Sali Berisha dhe Ilir Meta po bie nga dita në ditë dhe kjo po shqetëson kampin opozitar. Deri më sot janë larguar plot 16 gjyqtarë e prokurorë, të cilat janë emëruar nga Berisha-Meta kur ishin në qeveri, në bashkëpunim me Bujar Nishanin. Tashmë opozita duket se po e humbet ndikimin në drejtësi dhe kjo po sjell sulme të paprecedenta. PD e LSI kanë arritur deri aty sa nuk kanë kursyer ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, pasi po bëjnë ata përgjegjës për situatën e krijuar. Edhe pse ishte një situatë e paralajmëruar, pasi qëllimi i vetëm i vetingut është të largojë nga sistemi të korruptuarit dhe ditët e fundit po tregohet se numri i tyre është vërtet i lartë, raporton Sot.

Frika nga SPAK

KPK po ecën me ritme të shpejta dhe shumë afër do të mbyllë procesin e rivlerësimit për kandidatët e KLGJ dhe të KLP. Për KLGJ garojnë 14 persona dhe 9 prej tyre kanë hyrë në veting, teksa 6 e kanë kaluar. Ndërsa sa i takon KLP janë në garë 17 persona dhe po aty kanë hyrë në veting 9 emra, nga të cilët 5 e kanë kaluar. KPK ditët e fundit ka vendosur që të zhvillohen nga 2 dhe 3 seanca dëgjimore në ditë dhe sinjalet janë se brenda gushtit mbyllet verifikimi për kandidatët e KLGJ e KLP dhe në shtator këto organe janë gati. Sipas ligjit, dy muaj pas ngritjes së tyre automatikisht nis ngrijta e SPAK dhe e Byrosë së Hetimit. Pra pas rreth 4 muajsh nga tani, organet antikorrupsion do jenë gati dhe shpresat janë se do fillojnë arrestimet në nivele të larta, kjo dhe falë kërkesës së Bashkimit Europian për hapjen e negociatave. Kjo duket se shqetëson më shumë opozitën shqiptare, pasi ajo ka më shumë zyrtarë me dosje në prokurori. Gazeta ka bërë një kërkim të të gjithë funksionarëve të lartë të PD dhe LSI që janë kallëzuar në organin e akuzës dhe hetimet janë pushuar. Rezulton se janë 10 emra, shumica e të cilëve ish-ministra. Nga LSI është Edmond Haxhinasto, ndaj të cilit prej vitesh ka nisur një hetim sa i takon skandalit me Albpetrol. Kur Haxhinasto ishte ministër Energjie u nis procesi i privatizimit të Albpetrol, por kompania fituese u largua dhe nuk la garancinë sipas marrëveshjes. Sa i takon PD, me dosje në prokurori janë Basha, Berisha, Florion Mima, Ridvan Bode, Genc Ruli, Enno Bozdo, Arben Imami, Ledina Mandia. Kjo e fundit ishte zv/kryeministre në qeverinë teknike ndërsa më herët ka qenë Avokate e Shtetit. Nëse SPAK ngrihet, më të rrezikuarit janë së pari gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur në veting, pasi të gjithë do shkojnë për ndjekje penale. Dhe së dyti janë zyrtarët e lartë, të cilëve prokuroria u ka pushuar hetimet. Përveç kësaj, para drejtësisë do dalin dhe ata që kanë bërë zullume, ndonëse nuk e kanë parë kurrë derën e prokurorisë. Kjo është një tjetër arsye e fortë përse opozita e sulmon reformën, pasi gjatë qeverisjes së PD dhe LSI ka pasur me dhjetra skandale.