Protesta të dhunshme në Shkup kundër ndryshimit të emrit të Maqedonisë

Protesta të dhunshme për emrin në Shkup, 7 policë të plagosur

Protesta të dhunshme shoqëruan në Shkup njoftimin e arritjes së marrëveshjes së emrit, që i jep fund përplasjeve 27-vjeçare me Greqinë.

Nën thirrjet “tradhti” dhe “kapitullim”, një grup tubuesish u përleshën me policinë përballë ndërtesës së Parlamentit. 25 të ndaluar dhe 7 efektivë të plagosur ishte bilanci i mbrëmjes që errësoi euforinë e nënshkrimit të paktit në Prespë.

Protesta pati edhe në qytetin e Manastirit, të organizuara nga partia opozitare VMRO-DPMNE, lideri i së cilës, Hristijan Mickovski tha se partia e tij asnjëherë nuk do të njohë marrëveshjen, pakënaqësitë ndaj së cilës nuk kanë munguar as në anën tjetër të kufirit.

Sot në anën greke të liqenit të Prespës, shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias nënshkruan Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrit dhe për partneritet strategjik, në prani të kryeministrave të të dy vendeve, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian (BE) dhe Kombeve të Bashkuara (OKB). Të dy kryeministrat e quajtën njëri-tjetrin miq, duke vlerësuar marrëveshjen si një ditë historike.

Vendimi tani duhet të miratohet edhe në parlamentet e dy vendeve, ku partitë opozitare janë hedhur në sulm ndaj tij me arsyetimin se është i dëmshëm për popujt e tyre. Njohësit e rrethanave politike mendojnë sidoqoftë se Maqedonia del e fituar nga kjo marrëveshje, e cila e lejon që të ruajë identitetin dhe gjuhën, ndërsa edhe Greqia vetë nuk humbet asgjë.