Protesta studentore në Algjeri, kërkohet pensionimi i presidentit Bouteflika

Partia ne pushtet, Fronti Kombëtar për Çlirim, muajin e kaluar shpalli për kandidat të saj Bouteflikan 81 vjeçar, i cili drejton këtë vend afrikan që nga viti 1999, duke shkaktuar një reagim të ashpër të opozitës

Qindra studentë dolën në rrugë të dielën në kryeqytetin e Algjerisë, për të kërkuar tërheqjen e kandidaturës së presidentit aktual Abdelaziz Bouteflika, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestat janë mbajtur nën masa të shtuara të policisë, pasi bëhet fjalë për protesta të cilat tashmë kanë hyrë në ditën e dhjetë.

Partia në pushtet, Fronti Kombëtar për Çlirim, muajin e kaluar shpalli për kandidat të saj Bouteflikan 81 vjeçar, i cili drejton këtë vend afrikan që nga viti 1999.

Me kandidaturën e tij për një mandat të pestë radhazi, presidenti i Algjerisë shkaktoi një reagim të ashpër të opozitës.

Liderët opozitarë thonë se Bouteflika nuk është më fizikisht i aftë për të qëndruar në detyrën e presidentit, nga shkaku i problemeve shëndetësore që ka.

Bouteflika pësoi një goditje të rëndë në tru gjashtë vjet më parë, dhe që nga ajo kohë rrallë shfaqet në publik.

Sot, edhe partia më e madhe islame në Algjeri, Lëvizja e Forcave të Paqes u tërhoq nga gara presidenciale për zgjedhjet e 18 prillit.

Kjo parti kishte propozuar Abderrazak Makrin, megjithatë, vetëm 24 orë para mbylljes së listave të kandidatëve vendosi të mos marrë pjesë në garën e ardhshme zgjedhore.

Vendimi ka të bëjë me një protestë për rikandidimin e Bouteflikas.