Pronat dhe përmbarimi, Gjonaj: Luftojmë korrupsionin dhe reduktojmë burokracitë

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në kuadër të vizitës në qarkun e Korçës, zhvilloi një takim me kryetarët e bashkive Korçë, Maliq, Kolonjë, si dhe prefektin e Qarkut, Dhori Spirollari.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në kuadër të vizitës në qarkun e Korçës, zhvilloi një takim me kryetarët e bashkive Korçë, Maliq, Kolonjë, si dhe prefektin e Qarkut, Dhori Spirollari.

Qëllimi i takimit ishte koordinimi i punës mes pushtetit qendror dhe atij vendor me fokus parësor qytetarët, për tu ofruar shërbime më cilësore, për të luftuar korrupsionin dhe ulur burokracinë.

Temat kryesore që u diskutuan ishin pronat dhe përmbarimi shtetëror e privat.

Ministrja e Drejtësisë tha se Agjencia e Kadastrës, e cila është drejt finalizimit, do të zgjidhë gangrenën e trashëguar prej tri dekadash për sa i përket çështjeve me pronën.

Gjonaj theksoi se gjatë viteve të fundit procesi është përmirësuar ndjeshëm, falë reformave të ndërmarra, fakt që paqyrohet me numrin e lartë të lejeve të legalizuara nga ALUIZNI, si dhe certifikatat e pronësisë, lëshuar nga ZRPP.

Gjithashtu, theksoi se Ministria e Drejtësisë ka filluar tashmë një reformim rrënjësor të profesioneve të lira, duke përfshirë Përmbarimin dhe Noterinë.

Më pas, Ministrja vizitoi edhe godinën e re të hapur së fundmi pranë bashkisë Korçë, ku qytetarët marrin një sërë shërbimesh cilësore. Në një ambient të vetëm e bashkëkohor, të gjitha zyrat e bashkisë dhe pushtetit qendror japin shërbimet e tyre ndaj qytetarëve, zyra e taksave, urbanistika, zyra juridike, drejtoria e kontrollit të territorit, INUV, drejtoria e bujqësisë, qendra kombëtare e biznesit, zyra e gjendjes civile, Aleat, etj.

Gjithashtu Ministrja vizitoi edhe sallën e mbledhjeve të këshillit bashkiak të qytetit, e rikonstruktuar tërësisht.

Ministrja Etilda Gjonaj vizitoi edhe ambientet e zyrës së punës, e cila më parë kishte qenë kazino, e tashmë u shërben qytetarëve për t’u integruar në tregun e punës, shkruan ATSH.

Shifrat e arritura nga kjo zyrë, tregojnë qartë funksionin dhe frytet e saj. Numri i të papunëve në qarkun e Korçës është ulur me 30% krahasuar me vitin 2017. Gjatë vitit 2018 janë punësuar 2562 qytetarë duke tejkaluar edhe objektivat e vendosur nga zyra qendrore SHKP.

Gjatë vizitës, vetë ministrja Etilda Gjonaj takoi një qytetare, e cila sapo ishte punësuar në një biznes privat dhe kishte dalë nga skema e ndihmës ekonomike.

Në fund, por jo për nga rëndësia, Ministrja vizitoi një biznes privat i cili operon në fushën e reklamave dhe produkteve promocionale.

Ervin Vani administrator i sipërmarrjes, falënderoi ministren Gjonaj dhe Qeverinë për uljen e taksës mbi fitimin nga 15% në 5%. Sipërmarrësi tha se falë klimës së krijuar dhe uljes së taksave do të shtojë numrin e punonjësve si dhe do të zgjerojë  aktivitetin në tërësi.