Prishtinë, mbahet koncerti i Dhomës së të Rinjve TÜRKSOY

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, e cila mori pjesë në koncert, tha në fjalën e saj të rastit se koncerti po mbahet në një vend i cili në qendër ka vendosur kulturën e paqes dhe bashkëjetesës

Orkestra Dhoma e të Rinjve të Organizatës Ndërkombëtare të Kulturës Turke (TÜRKSOY) sot mbajti një koncert në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Koncerti i organizuar në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Zgjimi me Art” është koncerti i parë i turneut në Ballkan të Orkestrës Dhoma e të Rinjve të TÜRKSOY-it, i cili mbahet me rastin e 25 vjetorit të themelimit të kësaj organizate.

Në koncertin e organizuar në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë morën pjesë ministri i Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yağcılar, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, zëvendëssekretari i përgjithshëm i TÜRKSOY-it, Fırat Purtaş, shefi i bordit organizativ të festivalit “Zgjimi me Art”, Ethem Baymak, përfaqësues të institucioneve turke, shoqërisë civile dhe qytetarë të Prishtinës.

Në një fjalim rasti, ambasadorja Kılıç tha se muzika e përbën gjuhën e përbashkët të njerëzimit dhe formon ura shumë të bukura miqësöre në mes të popujve. Ajo theksoi se ky koncert po mbahet në një vend i cili në qendër ka vendosur kulturën e paqes dhe bashkëjetesës.

“Falenderojmë që na bashkuan sonte në këtë koncert të bukur me artistë shumë të aftë që vijnë nga shtete të ndryshme në kuadër të TÜRKSOY-it. Besoj se ky koncert do të forcojë edhe më tej miqësinë në mes të njerëzve”, u shpreh Kılıç.

Ndërkaq, zv/sekretari i përgjithshëm i TÜRKSOY-it Purtaş tha se ky koncert ka një vlerë për ta, pasi po festohet 25 vjetori i themelimit të kësaj organizate, qëllimi i së cilës, sipas tij, është forcimi i lidhjeve vëllazërore dhe shpirtërore në mes të popujve që flasin gjuhën turke.

Ai me këtë rast tha se aktivitetet e TÜRKSOY-it janë përhapur edhe në Ballkan gjatë dhjetë viteve të fundit.

“Mendoj se ky aktivitet i cili përkoi në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës është kuptimplotë. Uroj që festivali i “Zgjimit Me Art” i cili është një festival i rrënjosur dhe një festival vullnetar me iniciativë civile, të vazhdojë vite të gjata duke u institucionalizuar”, tha ai.

Nga ana tjetër, shefi i bordit organizativ të këtij festivali Baymak tha se pas luftës në Kosovë, në vitin 2002 kanë ndërmarrë një hap të tillë për ta zgjuar popullin me art.

“Shpresojmë se nëse festivali ‘Zgjimi me Art’ mbahet gjallë me kontributet tuaja dhe me kontributet tona së bashku, nga kjo do do të përfitojë populli”, tha ai.

Pas fjalimeve të mbajtura, artistët e rinj të TÜRKSOY-it nga shtete të ndryshme si Turqia, Azerbajxhani, Kazakistani, Kirgistani dhe Turkmenistani mbajtën një koncert nën drejtimin e dirigjentit Mustafa Mehmandarov.

Në kuadër të festivalit njëjavor ndërkombëtar “Zgjimi me Art” i cili nisi më 20 korrik, u organizuan aktivitete të ndryshme, si ekspozita të pikturave dhe të fotografive, koncerte, shfaqje të filmave dhe prezantime të librave, ku po marrin pjesë artistë nga shtete të ndryshme, sidomos nga Turqia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria. Festivali do të përfundojë nesër me koncertin e mbajtur nga Orkestra Dhoma e të Rinjve të TÜRKSOY-it në Prizren.