Prishtinë, hapet panairi me produkte dhe veshje kombëtare

Ky panair organizohet në kuadër të këtij manifestimi tashmë tradicional për hir të bashkëatdhetarëve të cilët vizitojnë Kosovën dhe kalojnë pushimet e tyre verore në Kosovë

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike e Kosovës në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka hapur panairin me veshje kombëtare, punime dore dhe ushqime tradicionale, i cili organizohet në kuadër të “Ditëve të Diasporës 2018″, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky panair organizohet në kuadër të këtij manifestimi tashmë tradicional për hir të bashkëatdhetarëve të cilët vizitojnë Kosovën dhe kalojnë pushimet e tyre verore në Kosovë.

Hapja e Panairit që do të mbahet nga dita e sotme deri më 27 korrik të këtij viti, u bë nga ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike i Kosovës, Dardan Gashi dhe zv/kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.

“Gjithmonë është kënaqësi e veçantë kur diaspora fillon të vijë verës dhe viziton familjet, vendlindjet e tyre dhe kënaqësi edhe më e veçantë është se diaspora mund të takojë këta njerëz, që prodhimet e tyre janë prej duarve dhe zemrave të tyre. Është një lidhje e veçantë e diasporës me këto produkte, për shkak se këto edhe simbolizojnë vendlindjen e tyre”, deklaroi ministri Gashi në adresimin e tij.

Gashi bëri të ditur se “Ditët e diasporës” deri më 2 gusht do të shënohen me shumë aktivitete në të gjitha komunat e Kosovës për bashkëatdhetarët që vizitojnë Kosovën gjatë muajve të verës. Ai shtoi se menifestimet qendrore të “Ditëve të Diasporës” do të mbahen në Prekaz të Komunës së Skenderajit më 1 gusht dhe në Prishtinë më 2 gusht të këtij viti.

Zv/kryeministri Limaj, nga ana e tij, tha se ka pasur rastin që në vendet e ndryshme të Evropës ku jeton diaspora kosovare t’i sheh prodhimet vendore, duke theksuar se kjo ka ndodhur falë biznesit të shqiptarëve të diasporës të cilët kanë ndërtuar bashkëpunim ekonomik me prodhuesit kosovarë.

“Është një rast I mirë për t’u njohur me prodhime të tjera vendore dhe që njerëzit të kenë mundësinë të shërbehen me këto produkte vendore edhe me gjithë këto veshje tradicionale që kultivohen shumë ose të themi që nuk ka familje në diasporë që nuk ka një nga veshjet tona kombëtare, si shenjë e ruajtjes së identitetit”, tha Limaj.