Prishtinë, fillon Forumi i parë Frankofon i Investimeve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova është një vend i ri, me mundësi të mëdha, me legjislacionin e standardit më të lartë evropian që mund ta përdorin investitorët e huaj

 Në prani të kreut më të lartë të shtetit të Kosovës, sot në Prishtinë u hap Forumi i parë Frankofon i Investimeve në organizim të Klubit Afarist Frankofon në Kosovë (KOCAF) dhe në bashkëpunim me Odën Ekonomike Francë-Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke përshëndetur biznesmenët e pranishëm tha se Kosova është një vend i ri, me mundësi të mëdha, me legjislacionin e standardit më të lartë evropian që mund ta përdorin investitorët e huaj. Ai tha se forumi i sotëm është një mundësi e re për Kosovën.

“Kam besim se kjo mundësi do të shfrytëzohet maksimalisht, kjo mundësi do të jetë një shtytje e madhe edhe për afaristët e tjerë që të vijnë në Republikën e Kosovës, t’i shikojnë të gjitha mundësitë e investimeve, e disa prej jush veç keni filluar dhe keni pasur sukses”, deklaroi Thaçi. Ai falënderoi Francën dhe presidentin e saj Macron për mbështetjen.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli vlerësoi se Kosova ka një bilanc tregtar shumë negativ, i cili duhet korrigjuar dhe për këtë arsye Kosova mbështet çdo investitor që do të hapë vende të reja pune. Veseli potencoi se liberalizimi i vizave mbetet një problem i cili qytetarët e Kosovës po i mban peng dhe apeloi për mbështetjen e Francës në këtë proces.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili foli në frëngjisht, theksoi se nuk është e vështirë të bësh biznes në Kosovë, sepse qeveria ka krijuar një politikë ekonomike për të mirën e bizneseve dhe ka një fuqi punëtore të madhe të kualifikuar.

Presidenti i KOCAF, Rahim Pacolli i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të hapë dyert për investitorët e huaj përmes lehtësimit në procesin e sigurimit të dokumentacionit të nevojshëm.

Në adresimin para investitorëve frankofonë, ai tha se Kosova ka fuqi të mirë punëtore, qytetet kanë një nivel të lartë të sigurisë dhe nuk ka pasur asnjë incident me të huajt.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë Francë-Shqipëri, Julien Roche tha se kjo Dhomë është themeluar në vitin 2012 dhe që nga viti 2013 është anëtare e Forumit të Biznesit të Frankofonëve dhe roli i saj është të mbështesë biznesmenët.

“Unë do të sugjeroja se bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të bazohet në tema konkrete, pasi që interesi i kompanive të të dy vendeve bazohet në prodhimet bujqësore, minierat, ndërtimet dhe energjia. Të bashkojë regjistrat e biznesit, të lehtësojë taksat stimuluese, të integrojë kostot që krijojnë norma të njëjta për akcizat dhe taksën mbi vlerën e shtuar”, tha Roche.

Qëllimi i Forumit Frankofon të Investimeve është të hulumtojë ngjashmëritë, ndërlidhjet dhe sfidat kryesore me të cilat përballen operatorët ekonomikë që veprojnë në Shqipëri dhe Kosovë.

Në Forum marrin pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Belgjika, Franca, Luksemburgu dhe Zvicra. KOCAF është një klub afarist që mbledh kompani nga vende të ndryshme frankofone. Është themeluar në mars 2017 nën udhëheqjen e Ambasadës së Belgjikës, Kanadasë, Francës, Luksemburgut dhe Zvicrës, në Kosovë. Dhoma e Tregtisë Francë-Shqipëri tubon rreth 60 kompani.