“Prishtina me ajër të pashëndetshëm prej disa ditësh”

Drejtoresha e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Letafete Latifi tha se sot niveli i ndotjes së ajrit në Prishtinë në shumicën e stacioneve matëse është 70 mikrogramë grimcash për metër kub në ajër ndërsa norma e lejuar është deri në 50

Për shkak të kushteve jo të mira atmosferike dhe pranisë së ndotësve të vazhdueshëm të ajrit, banorët e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, janë duke thithur ajër të pashëndetshëm tani e disa ditë sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtoresha e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Letafete Latifi në një deklaratë për AA tha se sot ajri në Prishtinë është i pashëndetshëm ngaqë parametrat e ndotjes së tij janë më të larta se sa është e lejuar. Ajo thekson se tanimë stacione të shumta monitorojnë për çdo ditë cilësinë e ajrit në kryeqytet ndërsa për 24 orët e fundit ai ka qenë i cilësisë së dobët, apo me indeks 36.5 për qind.

Latifi shprehet se sot niveli i ndotjes së ajrit në Prishtinë në shumicën e stacioneve matëse është 70 mikrogramë grimcash për metër kub në ajër ndërsa norma e lejuar është deri në 50.

Kjo shifër, siç thotë ajo, nuk është shumë më e lartë se sa lejohet, por thithja e grimcave të larta të pluhurit për një periudhë të gjatë kohore është e dëmshme për shëndetin e njeriut.

“Kjo vije si rezultat i kushteve meteorologjike të motit, kur gjithmonë gërshetohen edhe me emetimet që shkaktohen nga burimet e ndotësve të cilët tanimë janë të njohura për opinionin kosovar, e që vijnë nga lëndët djegëse për ngrohje në amvisëri, ngrohja që vjen nga transporti dhe pa anashkaluar edhe ndotjen që vjen nga termocentralet tona”, tha Latifi.

Ditëve dhe netëve të fundit, Prishtina ka qenë e mjegullt dhe pa erë, duke kontribuuar në rritjen e ndotjes së ajrit.

Të dhënat nga Instituti Hidrometeorologjik tregojnë se gjatë vitit 2019 ajri ka qenë pak më i mirë se në vitin 2018.