Presidenti Hashim Thaçi e ka quajtur joserioz dhe të papërgjegjshëm kryeministrin, Ramush Haradinaj, duke e porositur se ai i udhëheq negociatat, e jo kryeministri. Thaçi tha se një kryeministër serioz nuk flet për luftëra dhe tragjedi, por kujdeset për reforma. Presidenti në një konferencë për medie, i kërkoi kryeministrit t’i korrigjojë deklaratat për dialogun.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte thënë të hënën se ideja e korrigjimit të kufijve tashmë ka marrë fund.
“Ju shprehi ngushëllimet e mija për këtë idenë e kufijve e të ndërrimit të territoreve, se mendoj se ka vdekur, ose përgëzimet se duhet ta marrim edhe në këtë mënyrë…”, ka thënë Haradinaj.
E sipas presidentit Thaçi, dialogu është në një fazë të rëndësishme.
“Kryeministri ka nevojë ti korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij lidhur me procesin e dialogut. Pa dialog nuk ka të ardhme euroatlantike për Kosovën, as për NATO, as BE, e as njohje nga Serbia. Sepse tek e fundit, të gjithë e dimë se pozitat tona nuk janë të përhershme, kryeministrat dhe presidentët mund të ndërrohen, shkojnë e vijnë, sidomos mund të ndërrohen shpejt ata në rast se nuk korrigjohen”.
Presidenti Thaçi, përshëndeti edhe rezolutën e hartuar nga koalicioni qeverisës për dialogun me Serbinë, e cila sipas tij duhet të respektoj Kushtetutën e vendit.
“Çdo rezolutë që do të nxirret prej partive politike në Kuvend, që respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës nga ana ime jo vetëm që do të jetë e mirëseardhur dhe e përshëndetur, por do ta ketë edhe përkrahjen e plotë. Prandaj ftoj edhe njëherë gjithë spektrin politikë, pozitë e opozitë që të bashkohen në këtë drejtim, të punojnë bashkërisht, të nxjerrin një rezolutë, e cila hap perspektivë për funksionimin normal.”
Ndër të tjera në konferencë presidenti Thaçi edhe një herë ritheksoj se gjatë luftës në Kosovë nuk ka pasur më shumë se 12 deri në 15 mijë veteranë luftëtarë. Ai kërkoi që të hetohen ata që kanë bërë keqpërdorime.
Presidenti gjithashtu foli edhe për liberalizimin e vizave, i cili tha se është duke u investuar shumë në këtë drejtim./TRT