Presidenti Thaçi kërkon që FSK të jetë e mobilizuar për COVID-19

“FSK-ja është e gatshme të veprojë në çdo kohë, në çdo pjesë të Kosovës”, u shpreh gjeneral Rama gjatë takimit me presidentin Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral lejtnant Rrahman Ramën, me të cilin ka biseduar për nivelin e gatishmërisë së FSK-së për të ndihmuar në përballje me rrethanat e krijuara nga përhapja e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton komunikata nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Thaçi kërkoi që “FSK-ja të jetë e mobilizuar, të rrisë deri në maksimum nivelin e gatishmërisë dhe të ndihmojë në preventimin, përballjen dhe tejkalimin e krizës”.

Gjenerali Rama u shpreh se FSK-ja është në gjendje gatishmërie dhe ka kapacitetet që të përballet me çfarëdo nevoje, si me kapacitetet e veta mjekësore, ashtu edhe me kapacitetet logjistike.

“FSK-ja është e gatshme të veprojë në çdo kohë, në çdo pjesë të Kosovës”, u shpreh gjeneral Rama.

Në fund, komunikata njofton se “mobilizimi i FSK-së është hapi i fundit para shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga Presidenti i Republikës së Kosovës”.

Deri tani në laboratorët e Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) u testuan 271 persona prej të cilëve kanë rezultuar 16 pozitiv me koronavirusin e ri. Rasti i fundit u konfirmua nga IKSHPK në orët e para të së martës.

Në qendrën e thirrjeve deri më tani janë pranuar mbi 1500 thirrje me ata të cilët kanë dyshime mbi simptomat e tyre, ndërsa vetëm dje në orët e hershme të mëngjesit janë pranuar 215 thirrje telefonike.