Presidenti Thaçi kërkon nga BE-ja të mos i përsëris gabimet e viteve të 90’ta

Në një komunikim me qytetarët përmes video-selfie Presidenti i Kosovës Hashim i ka kërkuar BE-së që të ketë kujdes dhe të mos i përsëris gabimet e viteve të 90’ta, që pasuan me luftëra në ish-Jugosllavi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar përmes Video-Selfie, një formë të re të komunikimit duke përcjellë mesazhe për ngjarje të ndryshme politike.

Thaçi ka komentuar takimin që javën e kaluar kishte bashkë me liderët e shteteve të Ballkanit perëndimor me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Frederica Moghernini.

“Gjatë javës që lamë pas zhvilluam një darkë pune në Bruksel me znj. Mogherini. Të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor treguan përvojat e punës, sfidat dhe ballafaqimet për të ardhmen evropiane të vendeve tona. Ishte konkludim i përbashkët i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe një zhgënjim masiv i shprehur për mos-angazhimin konkret të Bashkimit Evropian për shtetet e rajonit tonë”, ka thënë Thaçi në rrjete sociale.

Ai më tej ka theksuar një zhgënjim që përcillet në Kosovë, në veçanti me jo liberalizimin e vizave, kur janë plotësuar të gjitha kriteret. Kjo sipas tij po ndodh për shkak të mungesës së unitetit evropian. Por, ai tha se Kosova ka vetëm një të ardhme, atë evropiane.

“Prandaj, BE-ja dhe liderët e saj, në këtë kohë të mungesës së vizionit të tyre duhet të dëshmojnë se nuk do t’i bëjnë gabimet e liderëve të fillim-viteve të 90-ta të BE-së, në kohën e fillimit të krizës jugosllave. Sepse, gjithmonë në Ballkanin Perëndimor ka potenciale të rrezikshme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, ka shtuar ai.

Thaçi në këtë Video ka thënë se Kosova dëshiron të besojë se BE-ja do të fillojë të ndryshojë pozitivisht për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.