Presidenti Meta bllokon bisedimet me Greqinë mbi kufirin detar

Me pretendimin se kërkesa për autorizim është e “paqartë”, presidenti i republikës Ilir Meta refuzoi dhënien e autorizimit të fuqisë për të negociuar Ministrisë së Jashtme ditën e martë ndërkohë që deklaroi se vendimi i tij nuk është lojë e politikës së brendshme.

” Kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi,” shkruhet në përgjigjen e Metës për Ministrinë e Jashtme.

“Në kërkesën për Autorizim për Negocim, do të duhej të përfshiheshin edhe hartat analoge dixhitale, si instrumente negociuese teknike parësore që pasqyrojnë realitetin gjeografik të hapësirës që delimitohet,” vijon më tej deklarata.

Negociatat për ndarjen e shelfit kontinental, siç njihen në gjuhën teknike, u rihapën vitin e kaluar mes qeverisë së majtë të Shqipërisë dhe qeverisë së Greqisë krahas çështjeve të tjera problematike mes dy vendeve. Në një seri takimesh, të dyja palët kanë shprehur vullnetin për të negociuar për zgjidhje.

Shqipëria nënshkroi një marrëveshje me Greqinë më 2009 pas dy vitesh bisedimesh. Gjithsesi, më 2010, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e anuloi atë pasi e gjeti në shkelje të kushtetutës dhe të rregullave ndërkombëtare. Vendimi u parapri nga zemërim i gjerë publik mbi akuzat për “shitje deti” te Greqia.

Një kabllogramë diplomatike amerikane e vitit 2008, e publikuar nga Ëikileaks më 2011, tregoi se kryenegociatorja shqiptare ishte ankuar te ambasada e SHBA-së për presionin që Greqia po i bënte Shqipërisë me procesin e integrimit europian duke kërkuar që Shqipëria të pranonte një marrëveshje të padrejtë nën kërcënimin e bllokimit të procesit të integrimit.

Marrëdhëniet me Greqinë u tensionuan më tutje pas vitit 2013, kur kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u zgjodh kryeministër, për shkak se partia e tij kishte marrë nismën për sfidimin e marrëveshjes në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2010.

Me shpresë se do të përmirësojë marrëdhëniet me Greqinë si dhe shanset për të hapur bisedimet për anëtarësim me BE-në, qeveria aktuale filloi bisedime të gjera me Greqinë me synimin për të zgjidhur problemet e ndryshme që kanë dëmtuar marrëdhëniet mes dy vendeve prej dekadash. Hapja e bisedimeve u shoqërua menjëherë me akuza për “shitje të detit”.

Meta, i cili u bë president vitin e kaluar, ka udhëhequr më parë Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, tani në opozitë. Pyetur nga gazetarët në konferencë për shtyp, Meta mohoi të martën akuzat se po luan politikë duke i mohuar autorizimin për negocim qeverisë.

“Synimi i Presidentit nuk ka qenë dhe nuk është të luajë politikë me çështje të tilla serioze dhe delikate,” tha ai. /Reporter