Presidenti i Brazilit nis ushtrinë për të luftuar flakët në Amazonë

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka urdhëruar ushtrinë për të ndihmuar në luftimin e zjarreve që kanë përfshirë hapësirat pyjore dhe zonat tropikale të Amazonës.

Një dekret i lëshuar nga presidenti Bolsonaro, autorizon praninë e ushtarëve në hapësirat pyjore dhe në zonat kufitare në tërë rajonin. Ky njoftim vjen pas një presioni të vazhdueshëm nga liderët evropianë. Bolsonaro ka kritikuar reagimin e shteteve të tjera, duke theksuar se zjarri nuk mund të përdoret si pretekst për vendosjen e sanksioneve.

Këto deklarata vijnë pasi Franca dhe Irlanda thanë se nuk do të ratifikojnë një marrëveshje tregtare me shtetet e Amerikës jugore derisa Brazili nuk ndërmerr masa për zjarrin në Amazonë. Zjarri dhe tymi në këto pyje ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin Sao Paolo, ditën e hënë.

Kjo ndërprerje që ka zgjatur për një ditë, ka qenë pasojë e erërave të forta që kanë mbuluar me tym qytetet Amazonas dhe Rondonia, në të cilat janë djegur më shumë se 2,700 kilometra hapësirë pyjore. Ambientalistët kanë fajësuar Bolsonaron për këtë situatë, duke thënë se ai ka inkurajuar druvarët dhe bujqit për shpyllëzim të tokës.

Bolsonaro mund të përballet me sanksione ndërkombëtare. Ministri i Financave i Finlandës, ka bërë thirrje ndaj Bashkimit Evropian për të ndaluar importet e mishit të Brazilit. Amazona që ndryshe njihet si “mushkëria e botës” ngadalëson ritmin e ngrohjes globale dhe është shtëpi e rreth tre milionë gjallesave dhe bimëve e kafshëve dhë një milion indigjenëve.