Policia e Kosovës: Operacion kundër krimit, qytetarët të mos bien prè e provokimeve

Policia e Kosovës vijon të informojë publikun përmes komunikatave të vazhdueshme për mediet, mbi operacionin që po zhvillohet në rajonet e veriut të Kosovës.

Policia e Kosovës vijon të informojë publikun përmes komunikatave të vazhdueshme për mediet, mbi operacionin që po zhvillohet në rajonet e veriut të Kosovës, raporton Top Channel.

“Operacioni policor, i cili po shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj dhe Drenas, deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme, si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar”, thuhet në komunikatë.

Teksa thekson se ka hasur rezistencë të armatosur në veri të Mitrovicës gjatë kryerjes së detyrës së saj, Policia e Kosovës thekson se “ka hasur edhe në disa bllokada nëpër rrugë, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, për të cilat është detyruar të përdoren mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve që të vazhdojë operacioni policor”.

Si pasojë e pengesave të krijuara dhe pengimit të veprimeve policore në terren, nga ana e disa qytetarëve në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacionin policor edhe disa qytetarë të përfshirë në këto raste.

“Institucionet përkatëse iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien prè e provokimeve të ndryshme, pasi ky operacion policor ka për qëllim luftën kundër krimit dhe është në interes të të gjithë qytetarëve dhe vendit”, njofton policia.