“Po ndërhyn në punët e një partie”/ Berisha sulmon sërish ambasadoren e SHBA: Sillet si Guvernatore, po shkel konventën e Vjenës! Sa herë…

Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sërish ambasadoren amerikane në vendin tonë, Yuri Kim duke thënë se ajo po sillet si Guvernatore. Berisha u shpreh se diplomatja e lartë amerikane në kundërshtim me Konventën e Vjenës dhe Kushtetutën e Shqipërisë po ndërhyn në punët e një partie politike.

Sali Berisha tha se sa herë që ambasadorja Kim ndërhyn, atij i shtohen ndjekësit në Foltore.

“Zonja i ka lejuar vetes në shkelje flagrante të konventës së Vjenës dhe kushtetutës së Shqipërisë, por ajo i ka përshtatur vetes për shkak të një Kryeministri që mund ti vesh çdo epitet, të sillet si guvernatore dhe të futet në punët e brendshme të një partie.

Para çdo foltoreje, para çdo akti ajo është përpjekur të dekurajoje demokratët. Mendova ti them: Ju lutem mos bej deklarata sepse po më shtohen njerëzit, dhe unë këtë ndihme nuk e kërkoj nga ju. Por thashë, lëre sepse secili mban qëndrimet e veta.

Le të marrë pjesë sa të dojë në fushatë, në shkelje flagrante të konventës së Vjenës dhe ligjeve të këtij vendi, por mbështetësit dhe votuesit vetëm do të shtohen.

Unë kam këtë problem: Kam një respekt për ambasadorët, por nuk mund të pranoj kurrë që të sillen si Mariza Lino”, tha Berisha.