“Plani i Veprimit për të Drejtat e Njeriut do të kontribuojë edhe në marrëdhëniet tona me BE-në”

Çavuşoğlu tha se synimi i planit të veprimit në fjalë është t'i zgjerojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe të eliminojë mangësitë në praktikën e deritanishme të të drejtave të njeriut

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu tha se Plani i Veprimit për të Drejtat e Njeriut i shpalosur nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, nga njëra anë do të zgjerojë fushën e të drejtave dhe lirive themelore ndërsa nga ana tjetër do të kontribuojë në marrëdhëniet e Turqisë me institucionet e Bashkimit Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu dhe homologu i tij gjeorgjian Davit Zalkaliani, pas takimit në kryeqytetin Ankara zhvilluan një konferencë të përbashkët për media.

Kryediplomati turk theksoi se synimi i planit të veprimit në fjalë është t’i zgjerojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe të eliminojë mangësitë në praktikën e deritanishme të të drejtave të njeriut.

“Gjatë këtij procesi jemi këshilluar veçanërisht me Këshillin Evropian dhe BE-në. Përderisa zgjeron fushën e të drejtave dhe lirive themelore do të kontribuojë edhe në marrëdhëniet tona me institucionet si BE-ja dhe Këshilli Evropian”, u shpreh ai.

Në lidhje me pyetjen rreth kërkimeve të Egjiptit në shelfin e tij kontinental duke e respektuar atë të Turqisë, Çavuşoğlu tha se Egjipti vazhdon të respektojë shelfin e tyre kontinental në Mesdheun Lindor, të cilën ata e kanë mirëpritur.

Ministri Çavuşoğlu duke tërhequr vëmendjen se Turqia dhe Egjipti janë dy vendet me territor dhe kufi më të gjatë në Mesdheun Lindor, tha se “Në varësi të rrjedhës së marrëdhënieve tona edhe ne mund të nënshkruajmë një marrëveshje me Egjiptin duke negociuar zonat e juridiksionit detar”.