Plagët e fshehura të grave të Arakanit, foshnjat si pasojë e përdhunimeve

"Sikur të isha e detyruar të lindja foshnjën do të vrisja veten sepse kjo për mua do të ishte një turp i madh. Njerëzit do të më paragjykonin", thotë D

Gratë dhe vajzat muslimane të Arakanit që janë shtatzënë si pasojë e përdhunimeve nga ushtarët e Mianmarit përpiqen që të bëjnë aborte ose të sjellin në mënyrë të heshtur në jetë foshnjat e tyre në kampet e tyre ku strehohen në Bangladesh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në rajonin Arakan të Mianmarit, gratë dhe fëmijët kanë qenë ata që janë më të prekur nga dhuna që ka zgjatur për vite me radhë dhe e cila u rrit përsëri edhe më shumë vitin e kaluar më 25 gusht kundrejt muslimanëve.

Gratë dhe vajzat që janë dëshmitarë të masakrave brutale ndaj shumë personave në familjet e tyre kanë qenë të ekspozuara ndaj valëve të spastrimit etnik dhe përdhunimeve të përdorura si armë në shumë lufta dhe ato kanë qenë të detyruar të strehohen në Bangladesh duke mbajtur në barkun e tyre foshnjat e ushtarëve të Mianmarit që i kanë përdhunuar.

Nga frika e përjashtimit, paragjykimeve nga shoqëria dhe tmerret që kanë përjetuar gratë dhe vajzat e Arakanit që janë shtatzënë si pasojë e përdhunimit nuk i pranojnë foshnjat. Disa prej tyre heqin dorë nga foshnjat e tyre me pilulat e abortit që gjejnë në kampe, ndërsa disa të tjera i lindin në fshehtësi.

Nuk mund të përcaktohet një numër i saktë i foshnjave në kampet në Banlgadesh që kanë lindur si pasojë e përdhunimeve për shkak se gratë nuk flasin nga turpi dhe nga frika.

– “Jeta ime nuk ka kuptim”

Gratë viktima të përdhunimeve kanë folur për gazetarin e Associated Press (AP) lidhur me përjetimet e tyre.

Gruaja e cila nuk dëshiron të identifikohet, emri i së cilës fillon me shkronjën M, ka thënë se ushtarët e Mianmarit dogjën disa prej shtëpive në fshatin e saj. Gruaja nga Arakani tha se 2 vajzat e saj arritën të shpëtonin, ndërsa ajo duke u përpjekur që të shpëtonte djalin 2 vjeçar ra në duart e ushtarëve të cilët e përdhunuan.

M, ka bërë të ditur se shtatzëninë e ka kuptuar pasi u larguan në Bangladesh dhe se për këtë shtatzëni bashkëshorti i saj e bën fajtore.

Duke shpjeguar se nuk e dëshiron djalin që ka lindur, ajo tha se foshnjës nuk i ka vendosur as emër dhe sa herë që e shikon i rikujtohen momentet që ka përjetuar.

“Nuk kam para për të marrë asgjë. Bashkëshorti tashmë nuk më do. Dëshiroj vetëm të vdes. Jeta ime nuk ka kuptim”, thotë M.

– “Njerëzit do të më paragjykonin”

Po ashtu edhe një tjetër grua muslimane e Arakanit e cila ka mbetur shtatzënë si pasojë e përdhunimit të ushtarëve të Mianmarit është prezantuar si D. Ajo ka shpjeguar se ka mësuar mbi shtatzëninë kur ka mbërritur në kampet në Bangladesh dhe se i ka dhënë fund shtatzënisë me pilulat e abortit që ka gjetur në kamp.

“Sikur të isha e detyruar të lindja foshnjën do të vrisja veten sepse kjo për mua do të ishte një turp i madh. Njerëzit do të më paragjykonin”, thotë D.

Ndërsa disa gra të tjera muslimane të Arakanit që kanë mbetur shtatzënë si pasojë e përdhunimit kanë treguar se njerëzit në mënyrë të habitshme i kanë kuptuar dhe i kanë mbështetur.

Një grua e re që u prezantua si T ka shpjeguar se fillimisht është përpjekur të fshehë shtatzëninë për shkak se kishte frikë se mos vallë bashkëshorti do të ndahej, por pasi u kuptua situata ai e ka mbështetur duke i thënë “Ky nuk ishte një gabim i yti. Ato që ke përjetuar janë fati yt. Edhe ti nuk do të dëshiroje të ndodhte një gjë e tillë”.

Po ashtu T ka theksuar se ka abortuar me pilulat që ka marrë nga punonjësit e ndihmave.

Ndërsa një numër i vogël i grave kanë thënë se i kanë dashur dhe janë përpjekur t’i rrisin fëmijët që kanë mbajtur në bark për 9 muaj pavarësisht se kanë ardhur si rezultat i përdhunimit.

Të gjitha gratë muslimane të Arakanit viktima të përdhunimeve pavarësisht se disa kanë qenë të detyruara të abortojnë, apo disa që vazhdojnë të duan fëmijët, kërkojnë “drejtësi” për ndëshkimin e ushtarëve të Mianmarit që janë bërë shkak për përjetimin e këtyre dhimbjeve.