Përçahen PD dhe LSI, Luan Rama: Shumë shpejt do ketë zhvillime, të lëmë pas egon

Planet afatgjata për protestë, duket se i kanë lodhur aleatët opozitarë dhe mes dy partive kryesore PD dhe LSI kanë nisur krisjet e para.

Protesta e opozitës duket se po sfumohet nga java në javë për shkak se partitë kryesore opozitare po përçahen mes njëra-tjetrës. Nëse lideri demokrat ka qenë i prerë se PD nuk shkon në zgjedhjet lokale pa krijuar një qeveri teknike, brenda LSI kanë nisur supozime që nuk e përjashtojnë pjesëmarrjen në zgjedhje lokale.Luan Rama i ftuar në një studio televizive me gazetaren Mirela Milori deklaroi se shumë shpejt do të ketë zhvillime sepse palët duhet të lënë egot dhe të mendojnë për Shqipërinë.

“Nuk mund të vazhdojë pafundësisht kjo situatë, sepse Shqipëria nuk mund të jetë peng i një grupimi sepse është aty sepse është pjesë përbërëse e bashkëveprimit dhe ndërveprimit me grupet kriminale”, u shpreh Luan Rama.

Prej disa ditësh baza e këtyre dy partive ka nisur organizmin sa i takon protestës së thirrur nga Basha, e cila pritet të mbahet pasditen e 13 prillit para Kryeministrisë.Partitë nuk po merren vesh me njëra-tjetrën sa i takon protestave. Madje, mungesën e koordinimit mes PD dhe LSI, e kanë vënë në pah edhe krerët e saj, teksa Lulzim Basha, ndryshe nga Monika Kryemadhi, e cila kërkon revolta, ai jo vetëm që është më i moderuar gjatë fjalimeve të tij, por duket tejet i distancuar edhe nga aleatja e tij, shkruan Shqiptarja.

Demokratët gjatë takimeve që kanë bazuar me anëtarësinë e tyre, këta të fundit iu kanë kërkuar që të distancohen nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi për ta Edi Rama është sot kryeministër dhe në mazhorancë, falë mbështetjes që i ka dhënë partia e presidentit Meta.

Nga ana tjetër edhe lideri demokrat Lulzim Basha gjatë një interviste për median italiane “Il fatto quotidiano” nuk e quajti LSI parti aleate, por një formacion politik.

Sipas informacioneve, një tjetër arsye që ka çuar bazën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në një mungesë të theksuar komunikimi mes tyre është “tradhtia” dhe dezertimi që po bëjnë anëtarët e LSI së fundmi.Shumë funksionarë të lartë të partisë së Kryemadhit në disa rrethe të ndryshme të vendit, kanë nisur dezertimin nga kjo parti, duke iu bashkuar Partisë Socialiste.