“Për SHBA-të, çështja e paqes në Afganistan ka përparësi”

"Zgjedhjet presidenciale në Afganistan dhe bisedimet e paqes që vazhdojnë janë të rëndësishme, por për SHBA-të paqja është më e rëndësishme", tha Bass

Ambasadori i SHBA-ve në Kabul, John Bass ka deklaruar se “Në Afganistan janë të rëndësishme zgjedhjet presidenciale dhe bisedimet e paqes por për SHBA-të çështja e paqes ka përparësi”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bass në një konferencë për media gjatë vizitës së tij në qytetin Mazar-i Sharif në veri të Afganistanit tha se SHBA nuk do të tërhiqet nga Afganistani përsa kohë që nuk eliminohen kërcënimet.

Ai tha se popullata e Afganistanit dëshiron paqe. Bass tha se tërheqja e SHBA-ve nga Afganistani varet nga zbatimi i angazhimeve të talebanëve.

“Zgjedhjet presidenciale që janë planifikuar të mbahen së shpejti në Afganistan dhe bisedimet e paqes që vazhdojnë janë gjithashtu të rëndësishme, por për SHBA-të paqja është më e rëndësishme”, tha Bass.

Pasi ka bërë të ditur se lidhur me bisedimet e paqes SHBA-të ndodhet në kontakte të ngushta me qeverinë afgane, Bass theksoi se përfaqësuesit e talebanëve po zhvillojnë punime serioze për të filluar bisedimet e drejtpërdrejta të paqes me autoritetet afgane.

“Të gjitha detajet e bisedimeve të paqes me talebanët ne i kemi ndarë me qeverinë afgane”, ka thënë Bass.

Ndërkohë në Katar vazhdojnë bisedimet e 9-ta të paqes mes përfaqësuesit special të SHBA-ve për Afganistanin, Zalmay Halilzad dhe autoriteteve të talebanëve. Lidhur me përmbajtjen e bisedimeve akoma nuk është dhënë ndonjë deklaratë, por sipas shtypit lokal palët janë dakorduar në shumë çështje.