PD: Shfaqja e sotme e Tahirit, goditje e rëndë për reformën në drejtësi

Partia Demokratike, me anë të Gazment Bardhit, reagoi pas konferencës për shtyp të Saimir Tahirit.

Partia Demokratike, me anë të Gazment Bardhit, reagoi pas konferencës për shtyp të Saimir Tahirit.

Dokumenti i pafajësisë nga drejtësia italiane që Saimir Tahiri publikoi për mediat, për demokratët nuk ka vlerë. Juristi i Partisë Demokratike Gazment Bardhi e konsideroi të parëndësishëm hetimin e shtetit fqinj për sa kohë Saimir Tahiri akuzohet për vepra penale në Shqipëri dhe jo Itali.

“Si Ministër i Brendshëm, akuzohet për lehtësimin dhe mbështetjen shtetërore për trafikun e drogës nga organizata kriminale e Habilajve në Shqipëri. Kjo veprimtari kriminale është zhvilluar në territorin shqiptar dhe si e tillë nuk mund të hetohet dhe as procedohet nga drejtësia italiane. Italia nuk ka juridiksion për vepra penale të ndodhura në territorin e një vendi të huaj nga një shtetas i huaj”, u shpreh Bardhi.

Demokratet akuzuan Edi Ramen se i ka ofruar mbrojtje politike ish ministrit te tij përmes Arta Markut dhe Donika Preles. Por, krahas rezervave për organin e akuzës, juristi Bardhi kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për Saimir Tahirin.

“I trimëruar Saimir Tahiri kërcënoi sot çdo polic, prokuror dhe gjyqtar që mund të guxojë të mos u bindet urdhrave dhe të vazhdojnë hetimin ndaj tij. Pas këtyre kërcënimeve, prokuroria duhet të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë nga detyrim paraqitje në arrest me burg për Saimir Tahirin”, u shpreh Bardhi.

Shfaqjen para mediave te Tahirit, demokratët e cilësuan si goditje të rëndë ndaj reformës në drejtësi duke i kërkuar ndërkombëtarëve të mbajnë premtimin që kanë bërë për kapjen e peshqve të mëdhenj./TCh