PD: Regjistrimi nga KQZ i “Bindjes Demokratike”, i paligjshëm

Partia Demokratike e konsideroi sot të paligjshëm, regjistrimin nga KQZ të partisë “Bindja Demokratike”.

Partia Demokratike e konsideroi sot të paligjshëm, regjistrimin nga KQZ të partisë “Bindja Demokratike”.

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, në një deklaratë për shtyp sot tha se “KQZ vendosi të regjistrojë ‘Bindjen’ si opozite fasadë, si patericën e Ramës në zgjedhje me synimin për të zbehur mungesën e opozitës së vërtetë”.

“Vendimi i paligjshëm dhe politik i shumicës së Ramës në KQZ është një tjetër provë për opozitën se Edi Rama është armik i zgjedhjeve te lira dhe te ndershme. Sot, KQZ ka vendosur të regjistrojë si parti politike në zgjedhje, një subjekt që ligjërisht nuk konsiderohet parti politike, për shkak se vendimi i regjistrimit i shkallës së parë nuk ka marrë formë të prerë”, tha Kaso.

Me këtë vendim, sipas tij, “KQZ ka rrëzuar edhe qëndrimin e vet të mëparshëm për këtë çështje, kur në një rast identik me votim 7 me 0 kishte vendosur mos regjistrimin e subjektit në zgjedhje”.

Pas këtyre deklaratave, reagoi Astrit Patozi duke ironizuar se “Bindja Demokratike do të kërkojë nga KQZ që të shtyjë afatin që të hyjë në zgjedhje PD-ja, edhe pse halli i saj i vetëm është që BD  të mos jetë në zgjedhje”, shkruan ATA.

“Sot pamë se më të mërziturit që ne u regjistruam për të garuar në zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin konkurrentët e tjerë, por ata që kanë vendosur vetë të mos hyjnë. Kanë 10 ditë që në PD nuk merrem me asnjë punë tjetër, përpos përpjekjeve për të akuzuar dhe mos lejuar “Bindjen Demokratike” që të marrë pjesë në zgjedhje”, tha Patozi.

“Sa për ne, jemi të gatshëm që t’i drejtohemi KQZ-së që ta shtyjë afatin e regjistrimit të partive që t’u japin një mundësi tjetër këtyre të mërziturve se mbase ndërrojnë mëndje dhe futen edhe ata në zgjedhje. Ne na intereson që në garë të konkurrojnë të gjitha partitë, duke përfshirë edhe ata, ndërsa ata me sa duket kanë vetëm hallin që të mos jemi ne”, deklaroi Patozi.