PD: Rama të arrestojë bandat që u shërben prokurori Ndoji

Berisha: Sulm i paprecedentë mbi institucionet e drejtësisë

Argumentet e Erjon Braçes që i dalin në mbrojtje kreut të arrestuar të zyrës kadastrale të Durrësit,  jo vetëm nuk i bindin, por për demokratet janë vijim i propagandës qeveritare “fajin e ka opozita”. Ish-deputeti Enkeled Alibeaj reagoi në një konferencë për shtyp dhe e akuzoi qeverinë se është pafuqishme për të luftuar bandat dhe zyrtarët e lidhur me to. Nëse do të ishte e kundërta, sipas demokratëve duhet të niste një hetim se kujt i shërben prokurori Arian Ndoji dhe do të viheshin përpara drejtësisë të dyja palët.

Ish-Kryeministri Berisha, i cili në deklarata të mëparshme e ka akuzuar prokurorin Arian Ndoji si të korruptuar, qëndrimin aktual të maxhorancës e quan presion të pashembullt mbi gjykatën. Sipas Berishës ky sulm ndaj Ndojit është aktivizuar pasi veç urdhërarrestit për Liridon Pulën ky prokuror ka nisur hetim dhe kreun e agjencisë së kadastrës Artan Lamen, e që del i implikuar, shkruan ish-Kryeministri, në transaksione tokash. Frika e nxjerrjes së emrave dhe aferave qeveritare nxitën sulmin e Braçes dhe Ramës ndaj prokurorit dhe presionin ndaj gjykatëses së çështjes.