PD: Qeveria mban të lartë çmimin e naftës, mbush xhepat në kurriz të shqiptarëve

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se po mban me çdo kusht çmimin e lartë të naftës, për të mbushur xhepat në kurriz të shqiptarëve.

Përmes një deklarate nga selia blu, anëtari i Kryesisë së PD-së, Eno Bozdo u shpreh se nafta në vendin tonë, për shkak të taksimit shumë të lartë të qeverisë, ishte më e shtrenjtë se në shumë vende evropiane.

“Shqipëria ka qenë gjithmonë gjatë këtyre viteve, edhe shumë përpara luftës, vendi me naftën më të shtrenjtë në rajon dhe ndër më të shtrenjtat në Evropë. Nafta në Shqipëri, për shkak të taksimit shumë të lartë të qeverisë së Edi Ramës, ishte më e shtrenjtë se në Gjermani, Francë, Norvegji dhe plot vende të tjera evropiane. Por, në të gjitha këto, vende çmimi i naftës, pas stabilizimit të tregjeve ndërkombëtare, është ulur ndjeshëm. Me përjashtim të Shqipërisë ku ky çmim njeh vetëm rritje.

Përpara disa ditësh, Bordi i Qeverisë vendosi të rrisë përseri çmimin e naftës, edhe pse në bursën ndërkombëtare ky çmim është ekzaktësisht në nivelet e paraluftës. Arsyeja nuk është as infrastruktura dhe as mënyra sesi përllogaritet ky çmim. Madje edhe vetë tregtarët e naftës deklarojnë zyrtarisht se Bordi i qeverisë e rrit çmimin me të paktën 120 lekë për liter, për shkak të mënyrës sesi ai funksionon. Pra, arsyeja është një dhe e vetme. Qeveria ka vendosur me çdo kusht ta mbaje të lartë çmimin e naftës, sepse kështu ajo arrin të mbushe xhepat në kurriz të shqiptarëve”, theksoi Bozdo ndër të tjera.