PD publikon skemën e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet lokale

Partia Demokratike ka nisur nga puna për të vënë në zbatim modelin për përzgjedhjen e kandidatëve të saj nga anëtarësia sipas modelit konservator britanik, rreth tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale ndonëse nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen në to.

Pavarësisht se nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Partia Demokratike ka nisur nga puna për të vënë në zbatim modelin për përzgjedhjen e kandidatëve të saj nga anëtarësia sipas modelit konservator britanik, shkruan Top Channel.

Në deklaratën e PD thuhet se se dy ekspertë britanikë do të vinë në Tiranë, për të ndihmuar PD-në në përzgjedhjen e kandidatëve, sipas modelit konservator britanik.

Sipas PD seleksonimi i kandidatëve do të bëhet në tre faza:

1. Ngritjen e komisionit të seleksionimit të kandidatëve

2. Përcaktimin e kritereve dhe standardeve për aplikantët që duan të kandidojnë.

3. Procesin e seleksionimit të kandidatëve përpara votimit nga anëtarësia.

Ndonëse nuk është konfirmuar ende pjesëmarrja në zgjedhjet lokale, duket se me këtë lëvzije PD i dërgon sinjale kandidatëve të përgatiten tre muaj para zhvillimit të tyre.

Deklarata e plotë i PD:

Partia Demokratike është në fazën finale të përgatitjes së modelit për përzgjedhjen e kandidatëve të saj nga anëtarësia. Për këtë qëllim, janë prej dy ditësh në Tiranë Davis Jones, Kryevlerësuesi i Komitetit të Seleksionimit të Kandidatëve të Partisë Konservatore Britanike dhe Joy Morrissey, ish kandidate konservatore për Bashkinë e Londrës. Përfaqësuesit e lartë të Partisë Konservatore Britanike po ndihmojnë Partinë Demokratike duke ofruar përvojën e konservatorëve britanikë në procesin e përzgjedhjes se kandidatëve demokratë për zgjedhjet parlamentare dhe lokale.

Bazuar në modelin britanik të Partisë Konservatore, PD ka përgatitur mënyrën e seleksionimit të kandidatëve të saj, që do të bazohet në tre faza kyçe:

1. Ngritjen e komisionit të seleksionimit të kandidatëve

2. Përcaktimin e kritereve dhe standardeve për aplikantët që duan të kandidojnë.

3. Procesin e seleksionimit të kandidatëve përpara votimit nga anëtarësia.

Përfshija e anëtarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve është risi jo vetëm për Partinë Demokratike, por për të gjithë politikën shqiptare. Deri më sot, asnjë forcë politike në Shqipëri nuk ka zbatuar këto standarde perëndimore që e bëjnë procesin e seleksionimit të kandidatëve në Partinë Demokratike një proces transparent, demokratik dhe të bazuar në meritë.

Me modelin e saj të ri, Partia Demokratike reflekton kërkesën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për ta lidhur direkt kandidatin me zgjedhësin.

Modeli britanik që do të zbatohet në Partinë Demokratike, i shërben Partisë Demokratike edhe si një veting brenda partisë, i cili jep mundësinë e zgjedhjes së kandiatëve më të përshtatshëm që do të përfaqësojnë PD në parlament dhe në pushtetin lokal.