Pas zjarreve të përhapura në afërsi të Athinës, rajoni i gatshëm për të ndihmuar

Ministria greke: Shprehim falënderimin tonë të sinqertë deri te ministri Çavuşoğlu dhe ministri Dimitrov për reagimin e tyre të shpejtë që të ofrojnë mjete ajrore për shuarjen e zjarreve vdekjeprurëse

Krerët e vendeve të rajonit dhe përfaqësuesit e institucioneve qeveritare kanë shprehur ngushëllimet e tyre dhe gatishmëri për ndihmë, pas zjarreve të cilat u përhapën në afërsi të kryeqytetit të Greqisë, Athinë, si pasojë e së cilës jetën e kanë humbur të paktën 60 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dërguar një mesazh ngushëllimi deri te homologu i tij grek, Prokopis Pavlopoulos, ku ka theksuar se “me ankth e shqetësim” po ndjek përhapjen dhe dëmet që po shkaktojnë zjarret përqark Athinës.

Duke shprehur ngushëllime për viktimat në njerëz dhe shërim të shpejtë të të lënduarve, thotë zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë, Meta theksoi se, “Ju siguroj se në këto momente të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi krah jush dhe qytetarëve të Athinës e të gjithë Greqisë”.

Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në rrjetin e tij social Facebook, ka shkruar se është prekur thellë nga humbjet e jetëve pas shpërthimit të zjarreve në rajonin e Athinës. Ai ka theksuar se Kosova është e gatshme të ndihmojë.

“Janë të tmerrshme dëshmitë për viktimat, por të japin zemër lajmet për heroizmat e zjarrfikësve dhe shpëtimtarëve. Kosova solidarizohet me fqinjët tanë dhe është e gatshme të ndihmojë”, ka shkruar Thaçi.

Ndërsa Maqedonia, nga ana e saj, përkatësisht Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, me resurset që posedon ka ofruar ndihmë për Greqinë në rast nevoje.

Kreu i kësaj drejtorie, Adnan Xhaferovski, tha se Qeveria e Maqedonisë është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke dhe se ndihma është ofruar që mbrëmë.

“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim është trup qeveritar dhe me resurset e saj është e gatshme të ndihmojë. Presim përgjigje nga ana e tyre. Nëse shprehin nevojë do të fillojë procedura për dërgimin e ndihmës nga ana jonë”, thekson Xhaferovski.

Po ashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, është shprehur se Turqia është e gatshme për çdo lloj ndihme në shuarjen e zjarrit në Greqi. Ai tha se “avionët dhe helikopterët për shuarje të zjarrit janë të gatshëm për t’u dërguar në Greqi në rast nevoje”.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë është falënderuar për ndihmën e ofruar, përkrahjen dhe solidaritetin e shprehur, duke theksuar se “katastrofat natyrore nuk njohin kufij dhe i tejkalojnë kontestet”.

“Shprehim falënderimin tonë të sinqertë deri te ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu dhe te ai i FYROM-it, Nikolla Dimitrov, për reagimin e tyre të shpejtë që të ofrojnë mjete ajrore për shuarjen e zjarreve vdekjeprurëse në rajonin e Atikës”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë në një njoftim.

Ministria greke ka falënderuar edhe Qipron, Spanjën dhe Komisionin Evropian për ndihmën e ofruar, por edhe të gjithë “miqve dhe partnerëve të cilët shprehën keqardhje dhe solidaritet me dramën e popullit grek”.