Pas karantinës gjermanët po shpenzojnë si kurrë më parë

Sipas tyre, konsumatorët gjermanë kanë përfituar nga hapja e hershme e dyqaneve dhe kanë shpenzuar si kurrë më parë.

Konsumatorët gjermanë  kanë hapur kuletat pas heqjes së masave të karantinës në Maj, duke rritur shitjet me pakicë në vend me një nivel rekord prej 13.9% nga muaji i kaluar.  Rritja mujore ishte më e madhja që prej nisjes së regjistrimit të të dhënave në vitin 1994, sipas agjencisë Federale të Statistikave.

Të dhënat janë prova e fundit që ekonomia gjermane po rimëkëmbet nga pika më e ulët e pandemisë, pavarësisht se masat e distancimit social aplikohen ende dhe eventet e mëdha publike janë të ndaluara. Ekonomistët thonë se mund të rishikojnë vlerësimet ekonomike për vendin,  pas këtij rezultati.

Sipas tyre, konsumatorët gjermanë kanë përfituar nga hapja e hershme e dyqaneve dhe kanë shpenzuar si kurrë më parë. Rimëkëmbja e shitjeve me pakicë u nxit nga një rritje e shitjeve në rrjet dhe me postë me 28.7% me bazë vjetore në Maj. Shitjet e ushqimeve në supermarkete u rritën me 4.9%, ndërsa  shitjet e mobiljeve, pajisjeve shtëpiake dhe të ndërtimit, u rritën me 8.6%, sipas Destatis.  Megjithatë, jo të gjithë sektorët kanë përfituar, ndërkohë që tekstili, veshjet dhe këpucët, pësuan rënie me 22.6% nga e njëjta periudhë një vit më parë.