Pas dorëheqjes së Kotzias, Tsipras do të drejtojë Ministrinë e Jashtme

Kryeministri grek Tsipras tha se e ka pranuar me pikëllim dorëheqjen e ministrit të deritanishëm të Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, njoftoi se do të marrë përsipër edhe detyrën e ministrit të Jashtëm pas dorëheqjes së ministrit të deritanishëm Nikos Kotzias, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një prononcim për gazetarët para godinës së Kryeministrisë pas pranimit të dorëheqjes së Kotzias, Tsipras falënderoi Kotzias-in për shërbimin e tij.

“Dorëheqjen e pranova me pikëllim”, tha Tsipras.

Duke folur për Marrëveshjen e Prespës të arritur mes shtetit të tij dhe Maqedonisë në lidhje me mosmarrëveshjen për emrin, Tsipras deklaroi: “Vendosa të marr përsipër funksionin e ministrit të Jashtëm. Kjo tregon vendosmërinë time për të bërë çdo gjë të mundur në mënyrë që të finalizohet me sukses Marrëveshja historike e Prespës, e cila forcon rolin ndërkombëtar të shtetit”.

Tsipras porositi se bisedimet në Parlament për pranimin e marrëveshjes me Maqedoninë duhet të vazhdojnë “me guxim dhe vendosmëri”.

“Nuk do të ketë mundësi tjetër”, shtoi kryeministri grek.

Ai tha se me marrjen përsipër të funksionit të ministrit, synohet mënjanimi i dhënies së mesazheve të ndryshme nga ana e qeverisë në lidhje me marrëveshjen.

“Greqia dhe qeveria ime do t’i zbatojnë detyrimet ndërkombëtare”, u shpreh Tsipras.

– Mesazh nga Kotzias

Ndërkohë, ministri i dorëhequr Kotzias, duke publikuar një mesazh në rrjetet sociale, tha se ka qenë i detyruar t’i ndajë rrugët me qeverinë.

“Kryeministri dhe një sërë ministrash dje në takimin ministror bënë përzgjedhjen e tyre. Më pas, edhe unë bëra zgjedhjen time”, tha Kotzias.

Duke cituar një poezi, Kotzias ka shtuar: “Deshën të më groposin, por harruan se jam farë”.